Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli dje ka shprehur hapur mbështetjen ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe “Foltores” që ai aktualisht është duke organizuar nëpër qytetet e Shqipërisë.
Topalli u shpreh se u ka paraprirë qëndrimeve të “Foltores” këto 10 vitet e fundit teksa e quajti lëvizje të rëndësishme politike dhe e domosdoshme. Ajo tha se sjell energji, pozitivitet dhe zgjim të jashtëzakonshëm. Sipas saj, ky zgjim mund të largojë kreun demokrat Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama pasi vendi ka nevojë për një lidership të ri në këtë situatë kritike që ndodhet.
“Në fakt i kam paraprirë “Foltores” me të gjitha qëndrimet gjatë 10 viteve të fundit. Në njëfarë mënyre kemi mbjellë bashkë me kolegët e tjerë, tharmin e asaj që është shpalosur sot në atë që quhet “Foltore”, por që është një lëvizje politike e domosdoshme.
Është një reagim, një energji, një pozitivitet, një zgjim i jashtëzakonshëm që mund të bëjnë të mundur që duke larguar Lulzim Bashën, të largojmë Edi Ramën, sepse vendi ynë është në një moment të vërtetë kritik dhe ka nevojë për një lidership të ri”, tha Topalli. Ish-kryeparlamentarja deklaroi se nuk ka asnjë synim apo qëllim për të kandiduar përballë Berishës apo të mendonte postin e presidentes, pasi presidenti Ilir Meta të largohej nga posti. Për ish-kreun e Lëvizjes për Ndryshim ka rëndësi rithemelimi i Partisë Demokratike, rikthimi tek vlerat e qendrës së djathtë duke angazhuar njerëz me standarde të larta.
Ajo u shpreh se kreu demokrat Lulzim Basha është një nga njerëzit që e ka shitur opozitën për interesat e tij personale e familjare si dhe financiare. “Për të larguar, e cila e ka çuar nga disfata në disfatë, për të larguar njeriun, i cili e ka shitur opozitën për interesat financiare të tij, personale dhe të familjes së tij”, deklaroi Topalli. Po ashtu Topalli komentoi edhe vetingun në politikë, një nga propozimet e kryedemokratit Basha. Ajo u shpreh se propozimi për ndryshimin e Kushtetutës për vetingun e politikanëve është thjesht blof i Bashës për të larguar vëmendjen nga lëvizja për reformimin e plotë të PD.