Sali Berisha ka nisur të planifikojë të gjithë skenarët e mundshëm për të marrë frenat e partisë. Teksa amerikanët i kanë mbyllur derën e pazareve, duket se e vetmja rrugë shpëtimi ndaj drejtësisë së re është që ai të emërohet kryetar i opozitës.
Ditën e martë Berisha shpalli kandidaturën duke treguar hapur se kush është qëllimi i tij. Gazeta ka mësuar se ish-kryeministri gjatë gjithë këtyre javëve ka mbledhur pas vetes shumë individë me peshë, specialistë të huaj, deputetë, ish-deputetë, juristë dhe njerëz të ligjit për të diskutuar mbi atë se çfarë do të ndodhë pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Firmat për të thirrur Kuvendin janë mbledhur, por mësohet se njerëzit që i rrinë pas Berishës i tremben përcaktimeve në statut.
Neni 43 në pikën 2 thotë: “Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.
Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë”. Pra, ky nen e ka përcaktuar qartë se vendimin e merr Këshilli ose Kryesia. Po ashtu komisionin e përcakton kryetari. Këto janë dy hallka që Berisha i ka anashkaluar dhe po konsultohet me të vetët për të gjetur boshllëqe me qëllim që mbajtja e Kuvendit të mos jetë nul.
Planet e Berishës
Sipas burimeve, plani është që Kuvendi të mblidhet në 8 ose 11 dhjetor dhe aty do ndryshohet statuti dhe do hidhet në votim shkarkimi i Bashës. Më pas do shpallen zgjedhjet e reja në parti. Berisha do shpallë kandidaturën dhe synon të marrë frenat e PD. Së pari, juristët pranë tij po mundohen të gjejnë hapësira që vendimet e Kuvendit nëse shkojnë në gjykatë, kjo e fundit të vulosë largimin e Bashës. Por po mendohet edhe një tjetër alternativë.
Duke qenë se fitorja në gjykatë mund të jetë e vështirë, është hedhur në diskutim teoria e dhunës. Njerëz pranë Berishës janë shprehur se ata po bëhen gati për të sulmuar selinë e PD pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Pritet që Berisha t’i kërkojë Bashës të lirojë karrigen dhe nëse ky i fundit nuk njeh votimin, do tentohet të organizohen protesta që do të konkludojnë me mësymje në selinë e PD.
Pra duket se Berisha do të tentojë një skenar si ai i vitit 1998 kur sulmoi Kryeministrinë dhe Radio Televizionin Shqiptar, por këtë herë për të larguar me dhunë Bashën. Shumë mbështetës të ish-kryeministrit kanë nisur të përgatiten për një skenar të tillë, pasi sipas tyre, nëse Kuvendi i jep të drejtë Berishës, Basha nuk është më kryetar dhe duhet të lërë selinë pavarësisht se çfarë thotë statuti.
Ndërkohë, plani i Berishës nuk mbyllet me kaq, pasi mësohet se do të tentojë të organizojë edhe protesta kombëtare kundër qeverisë. Në të gjitha takimet që ai ka mbajtur, baza është udhëzuar që të jetë gati për kryengritje popullore. Pra, pas mbajtjes së Kuvendit, hapi i parë do të jetë sulmi ndaj PD, ndërsa hapi i dytë sulmi ndaj Kryeministrisë dhe futja e vendit në kaos. Por sesa do të arrihet kjo mbetet të shihet, pasi mbështetja e Berishës është minimale. Ai po e bën betejën nga jashtë partisë, ndërkohë që Basha mund të largohet vetëm nga brenda. Pjesa dërrmuese e deputetëve janë në krah të liderit demokrat dhe po ashtu pjesa dërrmuese e krerëve të degëve. Deputetët dhe degët kanë peshë kyçe në Kuvend. Pra duket se Berisha po mundohet të tensionojë situatën, por sipas burimeve në PD janë të qetë, pasi largimi i Bashës shihet si mision i pamundur.