Së fundmi, Muzeut Etnografik të Beratit iu shtua një tjetër vlerë kulturore. Takia, pjesë e veshjes popullore për burra, të zonës së Myzeqesë, ishte dhuratë për muzeun, nga Fatmira Gajta në emër të nënës së saj, Sherife Gajta, e cila njihej për mjeshtrinë e takieve.
Ajo e kishte mësuar nga e ëma këtë mjeshtri që në vogëli, për t’ua lënë trashëgim të tri vajzave të saj.
I përgatiste takijet në seri, por punonte edhe me porosi. Përgatiste të trija llojet e takieve, ato festive, apo për jetën e përditshme e plotësonte nevojat e tregut në Berat, Lushnjë e Fier, por ishte edhe vendi ku mund të gjenin këtë veshje tradicionale edhe për Shtëpinë e Kulturës Fier dhe Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
Nënë Sherifja i shiste takiet në pazarin pranë postës së vjetër dhe më pas, në sheshin para markatës së qytetit. Këtë traditë e vazhdoi deri në momentet e fundit të jetës, në vitet 2004 – 2005.“I duheshin dy ditë për të bërë një takie, duke punuar me orë të zgjatura.
I vizatonte vetë, i priste dhe pastaj fillonte qëndisjen e qepjen. Momenti më delikat ishte përgatitja e gajtanit me fill pambuku, apo mëndafshi dhe më pas tegeli, që duhet të ishte uniform, sa më afër njëra – tjetrës.
Ishte një proces pune që kërkonte mjeshtëri, durim dhe për më tepër, pasion”, – tregon hollësisht e bija, Fatmira.
Sot takiet e nënë Sherifes i gjejmë në muzetë e Fierit dhe Lushnjës e tani edhe në Muzeun Etnografik të Beratit.
Në Muzeun Etnografik në Berat janë ekspozuar objekte të ndryshme, si: kostumet popullore, improvizimi i një pazari të vjetër, ndërsa në katin e sipërm ndodhen disa shembuj të dhomave me funksionet përkatëse dhe mënyra e jetesës familjare të zonës së Beratit./Konica/