Thellohet misteri me vdekjen e 4 shtetasve rusë në vendin tonë. Edhe pse kanë kaluar mbi 10 ditë nga ngjarja e rëndë në Qerret ku humbën jetën Natalia Burenkova, 58 vjeç, Sergei Burenkova, 60 vjeç, dhëndri i tyre Nikita Belousov, 37 vjeç dhe vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe, nuk ka një rezultat konkret mbi shkaqet e vdekjes.
Ditën e djeshme ka pasur zhvillime të forta në këtë aspekt, duke kthyer hetimet në pikën zero. Prokuroria dhe policia kishin sekuestruar si provë materiale 2 celularë të rusëve të markës “iPhone”, por nuk është bërë i mundur zhbllokimi i tyre. Celularët kanë qenë me password dhe pavarësisht përpjekjeve nga ana e policisë shkencore, ata nuk kanë mundur të hapen.
Ndërkohë mësohet se zhvillime ka pasur edhe sa u takon analizave të ujit të pishinës. Fillimisht ISHP refuzoi mostrat e marra dhe mori mostra të reja. Mirëpo mësohet se sërish nuk ka pasur rezultate se sa ishte niveli i klorit në pishinë apo nëse ka pasur lëndë të tjera që mund të kenë sjellë vdekjen e tyre. Sipas burimeve, prokuroria pritet që të kërkojë analiza në një laborator privat jashtë vendit, proces i cili do të zgjasë afatet hetimore. Të gjitha këto zhvillime kanë shtuar dyshimet.
Vetë Moska ka angazhuar nivelet më të larta të hetuesisë mbi këtë ngjarje dhe po e ndjek me interes, ndërsa në vendin tonë duket sikur kjo ngjarje nuk po zbardhte dot. Pyetja që ngrihet është: A kemi të bëjmë me një betejë spiunazhi. Nuk dihet shumë për të shkuarën e tyre, ndërsa thuhet se 60-vjeçari më herët ka qenë edhe ushtarak. Prokuroria e ka regjistrua procedimin për vrasje dhe fakti që nuk po zbulohet e çfarë ka ndodhur, dyshimet janë nëse kemi të bëjmë me një betejë mes shërbimeve sekrete të huaja.
Vdekja e shtetasve rusë
Ngjarja e rëndë u shënua më 15 tetor . Ndërsa viktimat janë: Natalia Burenkova, 58 vjeç, Sergei Burenkova, 60 vjeç, dhëndri i tyre Nikita Belousov, 37 vjeç dha vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe. Sipas informacioneve të fundit ata janë gjetur dy në shezlongët e pishinës dimërore, një buzë pishinës me gjysmën e trupit në ujë dhe një afër dhomës së saunës.
Punonjësi që përgjigjet për pishinën e kishte pastruar gjatë ditës duke përdorur dhe klor, por është shumë e dyshimtë që asfiksia e tyre të ketë ardhur njëkohësisht dhe për të katërt nga përqindja e klorit në ujë. Në këto rrethana misteri mbi vdekjen e tyre është i madh edhe për grupin hetimor, burime nga i cili thonë se pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje pa gjurmë.
Dy çiftet e familjeve ruse ndodheshin në Shqipëri në kuadër të një udhëtimi turistik dhe pak orë para se të ndalonin në hotel “Gloria” në Qerret dhe të përdornin ambienteve e SPA përfshi edhe pishinën dimërore ata kishin ardhur nga Ohri drejt Shqipërisë. Pas deklarimeve stafi i hotelit është lënë i lirë ndërsa janë sekuestruar lista e pushuesve të akomoduar në këtë resort prej 1 jave dhe kamerat e sigurisë. Ndërkohë që mediat ruse japin të tjera detaje për ngjarjen e rëndë ku thonë se gruaja e moshuar ka qenë e diagnostikuar me kancer dhe se asnjë nga anëtarët e familjes nuk përdor alkool ose drogë.