Nga Gazmend Bakiu
Parullat
Ka qenë një kohë kur në vend të reklamave që sot i gjen anekënd Shqipërisë, brezit tim mund t’i zinte syri dhe mund të lexonte vetëm parullat e partisë.
Ato kanë qenë pjesa më banale, por gjithsesi efikase, e propagandës së pashoqe që zhvillonte regjimi komunist nëpërmjet arsimit, shtypit, radio-televizionit, artit, kinematografisë, letërsisë, librave të “historisë”, mbledhjeve të lagjes, etj.
Parullat nuk mund t’i shmangie kudo që të ndodheshe, madje të ushqeheshim me parulla ishim mësuar qëkur mësuesja e klasës së parë na porosiste vazhdimisht për të ushtruar të lexuarit.
Parullat shkruheshin me gërma kapitale, vendoseshin në majë të ndërtesave, në faqet e tyre, në hyrje të institucioneve, brenda dhe jashtë fabrikave, kooperativave, reparteve ushtarake, shkollave, në hyrje dhe në dalje të qyteteve, në burgje, madje edhe në male. Mua më interesante më janë dukur parullat e parakalimeve. Por, kishte edhe parulla gojore; në festat e partisë gjendeshin gjithmonë njerëz të porositur, ose idiotë të namatisur, të cilët vikatnin parullën e radhës, sipas situatës. Më e brohoritura dhe e përsëritura parullë e këtij lloji ka qenë: “Parti Enver, jemi gati kurdoher”.
Le të kujtojmë parullat, të grupuara, sepse kësisoj përshkruajmë në një farë mënyre edhe historinë e partisë. Merret vesh që nuk do t’ia dal t’i kujtoj të gjitha, përderisa ato janë pa numërim, por shënoj se parullat për partinë shkruheshin me ngjyrë kuqe, ndërsa ato kundër armikut me të zezë ose blu.
Në krye të herës do të përmend parullat me “lavdi”: “Lavdi marksizëm-leninizmit”, “Lavdi veprës së Stalinit të madh”, “Lavdi Partisë Punës së Shqipërisë”, “Lavdi dëshmorëve të luftës nacional-çlirimtare”, “Lavdi veprës së ndritur të shokut Enver Hoxha”, etj.
Ndoshta më ka lënë kujtesa, por parullat me “lavdi” kanë qenë më të pakta se parullat me “rroftë”; kjo sepse kupola komuniste siç duket mendonte më shumë për jetëgjatësinë, pasi lavdinë e kishte të siguruar. Kështu në parullat me “rroftë” kemi: “Rroftë shoku Tito”, “Rroftë shoku Stalin”, “Rroftë sa malet shoku Enver Hoxha”, “Rroftë K.Q. i Partisë Punës së Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye”, “Rroftë uniteti i çeliktë parti-popull”, “Rroftë klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste”, “Rroftë miqësia shqiptaro-jugosllave”, “Rroftë 1 Maji”, “Rroftë miqësia e pathyeshme sovjeto-shqiptare”, “Rroftë shoku Hrushov”, “Rroftë ushtria popullore”, “Rroftë Diktatura e Proletariatit”, “Rroftë Kina Popullore”, “Rroftë shoku Mao Ce Dun”, “Rrofshin popujt arabë”, “Rroftë populli vietnamez”, “Rroftë shoku Ramiz Alia”, etj.
Në kontrast me parullat me “rroftë” ishin parullat me “poshtë”, të cilat kishin goxha vend në propagandën e partisë: “Poshtë imperializmi amerikan”, “Poshtë socialimperializmi sovjetik”, “Poshtë borgjezia”, “Poshtë titizmi jugosllav”, “Poshtë agresioni imperialisto-izraelit”, “Poshtë revizionizmi sovjetik”, etj. Përballë parullave me “poshtë” qëndronin parullat me “lart”, si për shembull: “Lart frymën revolucionare”, “Lart flamujt e aksioneve”, etj.
Kishte edhe parulla sezonale ose 5-vjeçare si: “Të vemë në jetë detyrat e kongresit të III”, pastaj të katërt e të pestë e kështu me radhë. Më kujtohen edhe parullat: “Uji fle, armiku s’fle”, “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet”, “Kursimi është patriotizëm”, “Mbrojtja atdheut është detyrë mbi detyrat”, “Çështja e bujqësisë është çëshje e gjithë popullit”, “Të jetojmë, të punojmë dhe të mendojmë si në rrethim”, “T’u ngjitemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si fushat”, “Nafta çan bllokadën”, etj. Por, një parullë e famshme ka qenë: “Ç’do Partia bën populli, ç’thotë Partia bën populli”. Më falni se e ngatërrova parulla ishte: “Ç’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli”.
Ja edhe një foto: Në një shteg mali ku s’u binte udha as dhive, një ushtar i hipur mbi supin e një tjetri po shkruan parullën e radhës që ta lexojnë zogjtë, ndërsa ushtari i tretë po ruan se mos po afrohet ndonjë armik. Fantastike.