Aktori i njohur Jim Belushi publikoi një status në rrjetet sociale ku shpreh dëshirën që të njohë sa më shumë shqiptarë kudo në botë.
“Nëse je shqiptar, rishpërndaje këtë, do të doja të lidhesha me më shumë vëllezër dhe motra të mia shqiptarë në këtë platformë”, shkruhet në statusin e tij në gjuhën angleze, publikuar në Twitter.
Jim Belushi, emri i vërtetë i të cilit është James Adam Belushi, ka lindur në Çikago, nga prindërit Adam Anastos Belushi, një shqiptar me prejardhje nga Devolli, dhe Agnes Demetri Belushi, e cila ka lindur në Ohajo, nga një familje shqiptare emigrantësh nga Devolli.
Vite më parë ai vizitoi edhe Shqipërinë, ku dha dhe një koncert dhe mori edhe pasaportën shqiptare.
Vëllai i tij, John Belushi, edhe pse vdiq në moshë të re nga droga, në SHBA konsiderohet si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Jim kohët e fundit i është përkushtuar prodhimit të marijuanës.
Ai ka hapur një fermë të madhe dhe thotë se ajo ka si synim që të shpëtojë njerëzit, të mos përfundojnë si vëllai i tij, që kaloi në overdozë.
John Belushi vdiq kur ishte vetëm 33 vjeç nga një overdozë heroine dhe kokaine.
Jim beson se vëllai i tij i madh kishte vuajtur nga encefalopatia kronike traumatike si rezultat i lojës së futbollit në shkollë të mesme dhe kjo e shtynte drejt substancave narkotike.
“Ai ka qenë mbrojtës dhe ka marrë shumë goditje. E di që kishte dëmtime në tru. Sapo i pati në dispozicion alkoolin dhe drogën, them se i konsideroi si një vetëmjekim”, shprehet 66-vjeçari, sipas të cilit, nëse John-i do të kishte përdorur një drogë më të lehtë si marijuana, nuk do të kishte ndërruar jetë.