Vonesat me plotësimin e Gjykatës së Lartë kanë filluar të shqetësojnë edhe shoqërinë civile. Kjo gjykatë ka 9 anëtarë momentalisht, por mungesa e anëtarit të 10 ka bllokuar përzgjedhjen e 3 anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Gazeta e ka thënë, se po luhet një lojë e pistë në prapaskenë, ndërsa vonesat e krijuara nga KLGJ kanë shqetësuar edhe Institutin e Studimeve Politike.
Në një raport të ISP thuhet, se Gjykata e Lartë duhet të jetë funksionale jo vetëm për detyrimin e saj kushtetues, por edhe për të plotësuar vakancat që janë në Kushtetuese. Raporti thekson, se nga ana e KLGJ nuk po ndiqen të njëjtat standarde, sa i përket procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj. “Përbërja e plotë e gjykatës nuk lidhet vetëm me nevojën për një gjykatë funksionale, por edhe me detyrimin e saj kushtetues për të zgjedhur tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshimi i kuorumit për vendimmarrje ishte një devijim nga parimi dhe standardi i procesit të reformës dhe një tregues i hendekut ende të madh midis pritshmërive të atyre ekspertëve që dizenjuan reformën dhe potencialeve reale njerëzore për kandidatë/prurje në sistem. Proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë vijojnë të jenë nën kritika të pjesshme edhe për dy tipare specifike, për faktin se për një numër anëtarësh nuk kërkohet standardi i vetingut që aplikohet për gjyqtarët e thjeshtë apo se procedura për prurjet e tjera plotësuese po bëhen më shumë nën presionin e nevojës për të gjetur kandidatë fitues sesa për të aplikuar standarde të larta meritokracie”, thuhet në raport.
Ndër të tjera, në raport është folur edhe mbi dosjet në Gjykatën e Lartë. Në raportin e ISP, thuhet se numri i dosjeve para se të niste reforma në drejtësi ishte 13 mijë, ndërsa tani është rreth 36 mijë dosje. “Tabela e hartuar nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP), ilustron të dhënat publike të Gjykatës së Lartë mbi dosjet për shqyrtim në këtë gjykatë. Sipas të dhënave përpara nisjes së reformës në drejtësi kishte 13 mijë dosje/raste për shqyrtim, por gjatë viteve të tranzicionit midis strukturës së vjetër dhe të re numri i dosjeve arriti në 36 mijë. Pika kulmore u raportua në maj 2021 me 36,788 raste/dosje për shqyrtim”, thuhet në raportin e ISP.
Numri i lartë i dosjeve
Ndërkohë, raporti i ISP thuhet se numri i lartë i dosjeve vjen edhe si pasojë edhe të atyre që janë trashëguar nga vitet e kaluara. Megjithatë, ISP thekson se gjykatësit e kësaj gjykate duhet që të jenë të fokusuar tek shqyrtimi i këtyre dosjeve dhe jo në angazhime të tjera. “Ekspertët e ISP vlerësojnë se numri i lartë i dosjeve në prirje nuk janë përgjegjësi e stafit aktual të GJL, por mbetet një trashëgimi dhe sfidë e reformës, me të cilën ajo duhet të përballet. Vetë Gjykata është e detyruar të investohet edhe në angazhime të tjera paralele, si për shembull, drejtimi në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, apo në aktivitete të tjera, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë jetike për gjykatës 100% të fokusuar vetëm në malin e dosjeve në pritje në këtë gjykatë”, huhet në raport.