Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të zgjerojnë gamën e zyrtarëve që mund të shpallen “non grata”. Momentalisht seksioni 7031 (c) i ligjit për buxhetin penalizon të korruptuarit dhe zyrtarët abuzojnë me të drejtat e njeriut.
Ndërkohë miratimi i buxhetit amerikan për vitin 2022 pritet të sjellë një zgjerim të krimeve që mund të sjellin shpallje “non grata”. Sipas një dokumenti të hartuar nga Komiteti për çështjet buxhetore në Kongresin Amerikan, Sekretari i Shtetit ka të drejtë të shpallë “non grata” edhe zyrtarët e lidhur me trafikun e drogës dhe ata që ushtrojnë presion ndaj sistemit në drejtësi.
“Në marrjen e përcaktimit në lidhje me “zyrtarët e korruptuar” në përputhje me nenin 7031(c) të këtij ligji, Sekretari i Shtetit merr në konsideratë përfshirjen e një individi në trafikun e narkotikëve, fushatën financimi nëpërmjet trafikut të narkotikëve, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pengimi i proceseve ligjore, duke përfshirë ata individë të listuar në raportin e “zyrtarëve të korruptuar” të kërkuar sipas këtij seksioni në Dhomë Raporti 116–444.
Sekretari gjithashtu duhet të bëjë çdo përpjekje për bërjen publike dhe dërgimin e aplikimit të nenit 7031 (c) për kufizimet e vizave si një mesazh i fortë kundër korrupsionit”, thuhet në draft. Nga ana tjetër bëhet e ditur se mund të ketë kufizim fondesh për shtetet që kanë shumë zyrtarë të shpallur “non grata”. “Fondet do të vihen në dispozicion vetëm për subjektet e qeverive qendrore që kanë demonstruar një partneritet efektiv me Qeveria e Shteteve të Bashkuara:
Asnjë akuzë të besueshme për korrupsion, përfshirë nenin 7031 (c) të këtij Akti dhe pajtueshmërinë me kërkesat përkatëse të ndihmës nga qeveria në qeveri, duke përfshirë ato të referuara në nenin 7031(a)(1) të këtij ligji”, thuhet në draft.
Shpalljet “non grata” në vendin tonë
Kujtojmë se në 15 shkurt 2018, ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla, iu ndalua zyrtarisht hyrja në SHBA pas një njoftimi të bërë publik nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Llalla akuzohej nga Amerika për korrupsion dhe shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Përcaktimi i tij dhe familjes së tij si “non grata” ishte vendimi i parë i rëndësishëm i SHBA pas fillimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.
Ky vendim u pasua me një tjetër shpallje “non grata” nga DASH në 16 prill 2018 të ish-deputetit Tom Doshi me të njëjtat akuza, për afera korruptive. Më pas në listën e zezë të “non grata” u shtua një emër tjetër nga radhët e Partisë Socialiste. Më 30 korrik të vitit 2019, ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako së bashku me familjarët e tij u përcaktuan “non grata” nga DASH.
Atë kohë Sekretari i Shtetit deklaroi se Dako ishte i përfshirë në raste madhore korrupsioni. Dhe së fundmi, në 19 maj të 2021 DASH shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, çështje kjo që solli shumë polemika dhe reagime. DASH në vendimin e tij shprehej se Berisha kishte minuar demokracinë dhe ishte pasuruar së bashku me aleatët e tij në kurriz të qytetarëve. /NGA ALEKSANDRA HOXHAJ