Familjarët e shqiptarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Greqi, kanë folur për mediat greke duke përshkruar atë çfarë ndodhi.
Bashkëshortja e viktimës Spiro Guri dhe e ëma e 34-vjeçares së plagosur Blerina Guri, rrëfen dhimbjen e saj.
“Çdo mëngjes, Spiro çon vajzën tonë në punë. Tani kam humbur burrin tim dhe vajzën e kam në prag të vdekjes nën kujdesin intensiv të mjekëve“, thotë gruaja e shqiptarit që humbi jetën në aksident.
“Nëse e gjej, do ta vras me duart e mia”, ka thënë 34-vjeçari shqiptar për mediat greke, duke iu referuar shoferit të kamionit që shkaktoi aksidentin fatal.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 05:40 në aksin rrugor Athinë – Pire. Një kamion i drejtuar nga një 65-vjeçar, humbi kontrollin duke çarë barrierat ndarëse të rrugës dhe përplasi dy automjete.
Nga përplasja e makinave, humbën jetën dy shqiptarët Spiro Guri 60 vjeç dhe Dhimitër Pabuko 65 vjeç, kurse mbeti e plagosur 34-vjeçarja shqiptare Blerina Guri. Policia greke tha se shoferi i kamionit ishte i dehur kur ndodhi aksidenti. Nga testi i alkoolit, ai rezultoi me 0.50 miligramë alkool në gjak, ndërkohë që limiti është 0.10.
Sipas mediave në vendin fqinj, shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin e rëndë, ka pësuar dy fatkeqësi në jetë. Disa vite më parë, atij i kanë vrarë vëllain kurse më pas i vdiq edhe djali në një aksident me motor.