Në organet e Partisë së Punës raportohej vazhdimisht për barsoletat e treguara në popull. Në to tallej vazhdimisht partia dhe udhëheqja. Dy barsoleta, të korrektura nga ana letrare (sepse ngatërrohen shpesh ligjëratat e drejta nga ato të zhdrejta), janë të mëposhtmet:
1
Një kandidat që pranohet në parti ndodhet para komisionit të pranimeve. Komisioni e pyet dhe e porosit që pas pranimit në parti të mos shkojë me femra, të mos luajë bixhoz, të mos ketë prirje për pasuri, të mos pijë, etj dhe në fund, për çështjen e partisë dhe të popullit të falë jetën. Kandidati pasi u mendua pak u përgjigj se me gjithë këto kufizime që i vunë, me gjithë qejf e falte jetën.
2
Burrë e grua ndodheshin në plazh me pushime. Burri kapi disa peshq dhe po i mbante në det të lidhur e të gjallë për t’i pasur të freskët. Pas pak thirri gruan dhe i kërkoi të gjente vaj ulliri për të fërguar peshqit. Gruaja pasi sillet andej-këndej, kthehet te i shoqi duke thënë se nuk gjeti vaj ulliri. I shoqi nxehet dhe i lëshon peshqit në det. Pas pak çastesh, peshqit dalin mbi sipërfaqen e ujit duke brohoritur të gëzuar: Partia e Punës! Partia e Punës! Ngaqë shpëtuan dhe nuk u tiganisën për mungesë të vajit të ullirit./55News.al