Janë të shumta viktimat e terrorit të kuq, aq sa drithërimat ende tronditin kujtimet, sidomos përjetuesit e tyre. Por ne nuk do qëndrojmë te emrat, por te disa metoda që pushteti përdorte për të izoluar dhe dënuar nëse rasti ishte i tillë, si dhe histori pjesërisht zbavitëse të kohës, të cilat mundën të shpëtojnë falë fatit dhe koincidencave.
Shkruan Rajmonda Dervishi Shundi
Aty përgatiteshin intelektualët që do të drejtonin shtëpitë e kulturave, si në Tiranë, ashtu edhe në qytetet e tjera të rëndësishme. Pasi përfundoi mësimi, klasat u mblodhën për një takim të rëndësishëm. Përveç drejtuesve të shkollës, ishin edhe ata, mbretërit e skutave, kurtheve të passhpinës, ata që ndjeshmërinë, moralin, nuk e njihnin, ata që lartësonin “fitoret” e partisë; punonjësit e Sigurimit të Shtetit. “Siç edhe e dini, armiku Beqir Balluku dhe Petrit Dume janë duke u gjykuar nga drejtësia jonë. Ju si do të donit që ne t’i dënonim?”.
Në dorë mbanin bllokun ku do të hidhnin atë që nxënësit do t’u sugjeronin. Aktori Shundi, në atë kohë 15-vjeç, me dy persona të dënuar në familje, dha alternativën e tij pasi dëgjoi sugjerimet rrëqethëse për dënimet e mundshme ndaj gjeneralëve: “Të dënohen sipas ligjeve në fuqi!”.
Një tjetër ia shton: “T’u pritet mishi me thikë dhe t’u hidhet kripë”; “Të varen dhe të lihen një javë jashtë”; “Të digjen të gjallë”; “Të … shprehja… “; “Të dënohet sipas ligjeve në fuqi”, ishte më irrituesja e nuk mund të kalohej thjesht prej tyre dhe drejtorisë së shkollës. Sytë ndaluan te Shundi i qetë. Ata kuptuan se ky “dënim” tinëzar, nuk ishte brenda linjës së partisë.
Ky djalë duhej të mbahej në vëzhgim pas kësaj që ai sapo deklaroi. Drejtoria dhe “shokët” ndiqnin rigorozisht çfarë bënte ai gjatë mësimin, mos fshihej rrëzave me cigare dhe pastaj… Ai ishte gjithmonë korrekt pas asaj dite.
Në kafet miqësore te hoteli më i përfolur nga shqiptarët, 15- katëshi, flitej se kudo kishte gjurmues. Tavllat ku shkundej duhani, ishin me vrimë në fund (si vazot e luleve), pasi aty vendoseshin mikrofonat për t’u dëgjuar gjatë gjithë kohës në katin e 14-të të atij hoteli, ku mendohej se ishin instaluar aparaturat qendrore.
Të rinjtë artistë (nisur nga mosha e moskokëçarjes) i bënin karshillëk aparaturave duke iu afruar mikrofonit – tavëll dhe citonin me zë të bindur parullat e kohës: “Rroftë klasa jonë punëtore!”; “Rroftë shoku Enver!”; “Lavdi marksizëm-leninizmit!”; “Të luftojmë rehatinë personale!”, shaka, të cilat fati i mirë i tyre nuk i çoi në veshin e gabuar.
– Me tre dëshmitarë futeshe në burg në kohën e viteve më të errëta të sistemit diktatorial 45-vjeçar shqiptar. Por nëse ishte vendosur dënimi, ose më keq akoma, ekzekutimi, as ato nuk hynin në punë.
Janë të shumta viktimat e terrorit të kuq, aq sa drithërimat ende tronditin kujtimet, sidomos përjetuesit e tyre. Por ne nuk do qëndrojmë te emrat, por te disa metoda që pushteti përdorte për të izoluar dhe dënuar nëse rasti ishte i tillë, si dhe histori pjesërisht zbavitëse të kohës, të cilat mundën të shpëtojnë falë fatit dhe koincidencave.
– Mbledhjet e kolektivit ishin forma më rutinë dhe e zakonshme në të gjitha institucionet. Metodë, e cila i kishte dhënë maksimalisht frytet e punës. Nga këto mbledhje, individit që i kishte shkarë situata, niste t´i bëhej presion kolektiv dhe ai duhej të bënte fillimisht një diskutim bindës, AUTOKRITIK, që të niste (nëse fati do ish me të) pastrimi i figurës së tij.
Fletërrufetë dhe fletëlavdërimet ishin vlerësimet e shpeshta kohore, të cilat vendoseshin në vendin e punës dhe në qendrën e Tiranës, nëse ishe një usta model diku pranë Sahatit (kjo për punëtorët më të dalluar).
Ndërsa për vlerësime monetare, as që bëhej fjalë. Në fund të fundit, “komunisti duhej të ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime” (citimi i dashur i atyre viteve). Kërkimi i mendimit të të rinjve sesi duheshin ndëshkuar armiqtë e popullit, ishte më pak i njohur.
Kjo gjetje kreative kishte funksionin e larjes së trurit, si dhe evidentimin e elementëve me “risk” për partinë. Shkollat e kulturës ishin nga strehëzat me më shumë elementë rebelë. Arti si më pranë lirisë dhe të bukurës, por edhe më imponuesi në komunitet, i bënte shumë herë më të ekspozuar nga veset e botës kapitaliste, ndaj vizitat apo kontrollet e klasës punëtore apo organeve të tjera kompetente ishin gjithmonë me kleçka.
Kontrollet e ashtuquajtura “të klasës punëtore” ishin grupe të caktuara partiakësh fanatikë, të cilët kishin për detyrë të kontrollonin dokumentacionet e institucionit, siç ishte edhe ai i teatrit (meqë sot po flasim për artistët) dhe duhet të merrnin masa për situatën që mund të zbulonin. Sekretari i partisë së rrethit ishte figura qendrore për politikat artistike.
Ai, me grupin e tij, kishte si një nga detyrat qendrore ndjekjen e repertorit, madje deri në anulimin e shfaqjes nëse spektakli nuk ishte i publikueshëm. Ai dhe grupi vinte dhe asistonte në çdo provë gjenerale, duke depozituar ankesat.
Vetëm nëse produkti mund të korrigjohej, rivinte dhe shihte sesi ishte finalizimi i saj që qytetarët të mund të merrnin mesazhet e duhura partiake. Ndërsa “kontrollet e klasës punëtore”, duke qenë punëtorë të thjeshtë dhe me artin nuk i lidhte asgjë, (madje, as edhe të qenurit spektator nganjëherë), pretendimet e tyre ishin hera-herës edhe absurde.
Kishte nisur gjuetia e ushtarakëve të lartë të shtetit dhe një nga këto emra ishte ai i Beqir Ballukut (ministri i Mbrojtjes për kohën) apo Petrit Dume (gjeneral), të cilët ishin në proces gjykimi nga drejtësia.
Gjithçka ishte në kontrollin e partisë, përfshirë edhe më të preferuarin e tyre, GJYKIMIN (në atë kohë ekzistonte dënimi me vdekje në Shqipëri, vendim i cili u hoq nga qeveria “Berisha” si kërkesë e komunitetit Europian).
Armiqve, partia ua ndërronte vazhdimisht emrat, në varësi të direktivave dhe eliminimeve momentale që komandanti kishte. Shkolla, si vendi i formimit të të rinjve, përdorte autoritetin dhe format e saj ideologjike diktuese për t’u informuar mbi sjelljet e nxënësve dhe për t’u injektuar atyre komunizmin “hoxhian”.
Lëndët me pikët më të larta për të dalë e drejta e studimit ishin ato partiake (marksizëm- leninizmi, PPSH etj). Detyrimisht duhej të ishe një nxënës i mirë për të qenë një aspirant për arsimimin e lartë. Që këtu nis një lojë e vështirë mes individit dhe këtij realiteti dhune, për ata që talenti i tyre i thërriste drejt skenës. Fëmijët e atyre viteve nuk rriteshin ashtu siç ndodhte me fëmijët e botës së lirë, ku përrallat dhe lodrat alternative të ishin frymëzim.
Në të gjitha dhomat, korridoret apo ambientet e ngrënies (nuk jam e sigurt në kishte edhe në banja), vendoseshin portretet e udhëheqësve të partisë, si dhe ishin të shkruar me germa të mëdha sloganet tipike komuniste: “Partia është nëna jonë”; “Të luftojmë rehatinë personale”; “Lart frymën revolucionare”… Ishin të shumtë artistët e thirrur dhe kërcënuar nga zyrat e Sigurimit të Shtetit.
Madje, disa e përjetuan aq keq sa nuk mundën të çliroheshin kurrë nga traumat që i shkaktuan këto zyra. Pothuajse të gjithë aktorët ishin në presione jetike. Shumë prej tyre u gjykuan keqas, shumë të tjerë u larguan… dhe ata që i shpëtuan ishin nën mbikëqyrje.
Figura e sekretarit të partisë në Teatrin Popullor (sot Kombëtar) ishte pothuajse e njëjtë me atë të drejtorit. Ky autoritet përdorej për të pasur nën hyqmin e vet si politikat e repertorit (sekretari i parë i rrethit), si dhe mesazhet që do i përcilleshin popullatës artdashëse, që ishin të shumtë, futur këtu edhe moralin e pastër.
Qytetarët ndiqnin të vetmet zbavitje që kishte, duke i kaluar në filtra të pafund deri në produktin final. Dhe njerëzit intuitivisht hiqnin moralizimet e ideologjinë, duke shijuar veprën sipas mendësisë personale. Figurat e sekretarit të partisë apo punonjësve të Sigurimit të Shtetit në filmat tanë ishin nga figurat e qëndisura me më shumë dashuri ku aktorët e mrekullueshëm Vangjush Furxhi, Sandër Prosi, Llazi Serbo… i lanë shenja që nuk mundën t´i kalojnë deri në fund.
Nga 14 filma që Kinostudio “Shqipëria e Re” realizonte, pjesa më e madhe ishte figurat e heronjve. Vetëm pak ishin me temën e ditës, por sërish partia, parullat e morali komunist duhej të ishin protagonistë, ndryshe… film nuk ka.
Gjithçka që ndodhte në filmat e kohës, ishte një sajesë e neveritshme, ku askush nuk mund të shihte veten. Ndjekja e të vetmit argëtim artistik, filmi dhe teatri, ishte si një përrallë që na duhej ta flinim në gjumin e territ elizir shqiptar. Kushtetuta e Hoxhës mbi të drejtat dhe liritë qytetare, Neni 53 i Kushtetutës Shqiptare të vitit 1976, garantonte “lirinë e fjalës, shprehjes, organizimit, grumbullimit”, etj.
Kjo liri, në dukje e garantuar nga Kushtetuta, kufizohej dhe ndoshta anulohej në nenin 39 të saj, i cili thoshte: “Të drejtat dhe liritë e qytetarëve vendosen në bazë të përshtatjes së interesave të individit me ato të shoqërisë socialiste, ku prioritet i jepet interesit të përgjithshëm.
Të drejtat e qytetarëve janë të pandashme nga plotësimi i detyrave tyre dhe nuk mund të ushtrohen në kundërshtim me rendin socialist”. Situata e krijuar nga neni 39, në fakt mohonte nenin 53, duke i dhënë qeverisë së Hoxhës justifikimin për të udhëhequr qytetarët drejt linjës së partisë, ose ndryshe të përballeshin me dënime të ashpra.
Një mangësi serioze e Kushtetutës shihet në qartësimin e mëposhtëm: “Lufta e klasave dhe diktatura e proletariatit po bëhet gjithnjë e më e fortë në Shqipëri”. Kjo do të thotë se sipas Kushtetutës, shteti nuk nis dhe as nuk tërhiqet nga qëllimi tradicional i komunizmit por vetëm merr fuqi, prandaj Kushtetuta shpeshherë i referohet shtetit dhe autoritetit të tij të gjerë.
Si për shembull “shteti organizon, menaxhon dhe zhvillon ekonominë dhe jetën shoqërore të vendit me anë të planeve të përgjithshme dhe të veçanta”. Ky kombinim i kontradiktave kushtetuese dhe i konceptit të drejtësisë së njëanshme është një standard tjetër nga ato perëndimore dhe krijon një përzierje shumë të paqëndrueshme.
Kodi i ri Penal Shqiptar u prezantua më 1 tetor 1977 dhe edhe ai merrej kryesisht me objektivat politike dhe ideologjike. Neni 1 i Kodit është një reflektim i mungesës së lirive të qytetarëve gjatë qeverisë së Enver Hoxhës: “Legjislacioni penal i Shqipërisë shpreh vullnetin e klasës punëtore dhe masave të tjera, si një armë e diktaturës së proletariatit dhe e luftës së klasave.
Kodi Penal ka për detyrë të mbrojë shtetin socialist dhe partinë e Punës si forca kryesore drejtuese e shtetit dhe shoqërisë. Një detyrë e rëndësishme e legjislacionit është lufta kundër burokracisë dhe liberalizimit, si rreziqet kryesore ndaj shtetit dhe diktaturës së proletariatit”.
Një tjetër problem, që me shumë gjasa krijohej qëllimisht nga qeveria në këtë mes, është gjuha e mjegullt e shumë statuteve të Kodit Penal dhe mungesa e direktivave specifike, që lejon që çdo veprim të përfshihet nga interpretime më të gjera ose të bjerë në kundërshtim me vetë statutin e deklaruar.
Për shembull: “Veprimi ose mosveprimi me qëllim dobësimin e shtetit ose të partisë, të ekonomisë apo të shoqërisë, dënohet me 10 vjet burg ose me vdekje”. E gjithë kjo mbulesë ligjore, në fund, e bënte të pamundur gjithçka jo ligjore./Panorama