Shumë nga njerëzit e artit e kanë cilësuar si “njeriu i shumë fytyrave” dhe “artisti i madh i skenës e i humorit”
Spektakli ishte i garantuar nëse emri i tij do të listohej i pari mes aktorëve pjesmarrës në varjetenë e Tiranës. Gjithë plastike e me një dialekt fort të ëmbël, ai ishte kthyer në një nga aktorët më të dashur për publikun.
-“Unë kam vënë rregull në ndarjen e punëve në shtëpi. Ushqimet i blen ajo, kurse bukën e morr unë. Zarzavatet në pazar i blen gruaja, ndërsa piperin në shtëpi ia hedh ky gjoks. Qumeshtin në mëngjes e merr ajo, kurse birrën në darkë e morr unë. E ore, pse qesh, a e di sa ishte rradha për birrë apo jo…” – janë disa nga batutat e tij tek “Estrada në ekran”. Por nga ai mbahen mend shumë e shumë batuta të tjera, të cilat tanimë kanë marrë qytetarinë dhe një përdorim të gjithanshëm.
Fillimet
Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935. Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. Njëkohësisht Sallaku me të njëjtin pasion iu përkushtua edhe sportit të mundjes klasike, ku koleksionoi edhe titullin “Kampion Kombëtar”. Aftësitë e tij sportive do t’i shërbenin edhe në skenë, pasi në vitin 1956 ai u emërua si aktori i parë akrobat pranë Teatrit të Estradës dhe Varietesë së Tiranës, duke u bërë pjesë e trupës profesioniste të atij institucioni. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.
Në skenë
Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë. Disa nga interpretimet e tij më të njohura janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” e shumë e shumë të tjera. Ndërkohë ai luajti edhe në ekranizimin e materialeve komike si në filmat: “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, etj., ku ai gjithashtu do të tregonte nivele të larta interpretimi. Për këto arsye artisti Skënder Sallaku gjatë karrierës u vlerësua me shumë tituj si: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”.
Vlerësimi
Me humorin e tij, ai diti të hyjë shumë natyrshëm tek zemrat, mendjet, batutat e bashkëkohësve të tij. Interpretimi i tij ishte i pakrahasueshëm, komunikimi me spektatorin ishte një tjetër dhunti, që jo të gjithë artistët e kanë. Në shpirtin e tij të çiltër kishte diçka të veçantë, aftësinë për të bërë të tjerët të qeshin. Këtë aftësi nuk mund të ta mësojë asnjë pedagog dhe asnjë shkollë kudo në botë. Skënderi ishte i pazëvendësushëm për sensin e hollë të humorit. Ai ishte gjithashtu edhe një mjeshtër, gjithmonë në kërkim, për të gjetur të bukurën dhe jetësoren.
Nga shkrimtarë, gazetarë, regjisorë e skenaristë është quajtur si “njeriu i shumë fytyrave”, “artisti i madh i skenës e i humorit”. Në librin e Pëllumb Kullës “Skënder Sallaku, kur qeshim në diktaturë”, figura e tij është përshkruar me shumë mjeshtëri dhe dashuri. “Detyra ime, – thotë ai,-është që njerëzve, miqve të mi kudo që ndodhen t’u heq sado pak mërzinë, t’i bëj të harrojnë hallet, e për disa çaste të largojnë stresin e të qeshin me shpirt, duke më uruar mbasi fshijnë lotët e gëzimit”.
Për vite me radhë, anë e mbanë vendit, Skënder Sallaku, duke ndryshuar mimikën e duke deformuar zërin e konstruktin sipas roleve e karaktereve, ka elektrizuar sallat e shfaqjeve, stadiumet e mbushura plot e për plot me të qeshura të shfrenuara, duke marrë gazin me vete, deri në vatrat familjare. Shprehja që njerëzit i thonë se je bërë pjesëtar i familjeve tona është shumë kuptimplotë.
Familja
Në vitin 1962, Skënder Sallaku u martua me akrobaten e njohur të Cirkurt të Tiranës, Vitore Rasha (Sallaku). Nga kjo martesë ata patën dy fëmijë. “Skënderi në skenë më ka bërë një suprizë. Unë po dilja për të bërë ushtrimet plastike që kisha në skenë dhe më thotë: Do martohesh me mua Vitore. Unë si natyrë nuk flas shumë me thënë të drejtën dhe Skënderi ishte natyrë shumë gazmore dhe të ngatërronte, me gojën e tij ngatërroheshe ti. Unë isha lart në tavolinë dhe poshtë ishte dikush tjetër që e shtynte tavolinën deri në qendër, pastaj fillova ushtrimet. Skënderi rrinte poshtë tavolinës dhe kur mbarova unë ai thotë: Këtu jam edhe unë, para publikut. Unë mendova se po bënte humor se ishim në skenë dhe i thashë: Po.”, ka rrëfyer Vitore Sallaku gjatë një emisioni televiziv të drejtuar nga Rudina Magjistari.
Epilogu
Aktori i njohur i humorit Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme prej së cilës ai vuajti për disa vite, por megjithatë gjente forcën të angazhohej dhe të ishte aktiv me mënyrën e tij, që ishte shkrimi i materialeve komike. Sot një rrugë në Tiranë mban emrin e tij.
Burimi: sallaku.blogspot.com/ ata.gov/
Përgatiti për botim: L.Veizi