Nga Valeria Dedaj
Artisti Nikolin Xhoja ka zënë vend në panteonin e nderit të popullit shqiptar me jetën dhe veprën e tij. Ai mbahet mend si aktor me një nur komik tejet të natyrshëm, tejet spontan dhe shpeshherë tejet improvizues gjatë interpretimeve.
Për nder të tij, Kliton Nesturi ka realizuar dokumentarin me titull “Aktori që i ngriti vetes monument”.
Nga kritikët e teatrit Xhoja (1926-1987) është cilësuar për një individualitet të spikatur artistik, veçanërisht në realizimin e roleve komike, edhe sot, 26 vjet pas vdekjes, vazhdon të ngelet një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar. Është interpretues i 55 roleve ne teatër, i 11 premierave variete dhe i disa roleve të tjera në kinematografi.
Ai lindi në qytetin italian të Brindizit. Babai i tij, Teodor Xhoja, ishte pronar i kinemave në disa qytete italiane. Ndërsa e ëma shqiptare, Parashqevia kishte emigruar në vendin fqinj për motive ekonomike. Ajo u detyrua të kthehet përsëri në qytetin e saj të lindjes, në Durrës.
Nikolin Xhoja në moshë të re, rreshtohet në radhët e Brigadës së 3-të Sulmuese dhe merr pjesë aktivisht në krijimin e grupit partizan filodramatik në Kosovë, i cili dha shfaqje në Gjakovë, Sanxhak, Ohër etj. Kliton Nesturi ideatori dhe realizuesi i dokumentarit “Aktori që i ngriti vetes monument” në një intervistë për “Shekullin” thotë se ky dokumentar është një obligim që duhej shlyer ndaj aktorit Nikolin Xhoja.
Sipas tij, është mëkati i një brezi, që duhej të lahej sa jemi në kohë. “Nikolin Xhoja ishte themeluesi i teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, por familjes së tij nuk iu lejua që homazhet t’ia bënte në teatër. “Ja pse, ky dokumentar është një borxh ndaj këtij artisti” tregon Nesturi.
Sipas kritikeve të teatrit, ai ishte një aktor me diapazon të gjerë, që nga rolet komike tek ata thellësisht dramatike. Në “Historinë e teatrit shqiptar”, thuhet se Xhoja, diti të zgjedhë materialin dhe mjetet me të përshtatshme shprehëse, jo vetëm për të plazmuar personazhin, por edhe për të mbajtur një qëndrim të caktuar emocional ndaj tij.
Kliton Nesturi (1971) ka përfunduar studimet për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Për herë të parë, ka punuar në televizion në vitin 1997, më pas ka punuar në departamentin e Kulturës. Ka punuar në radio-televizionin e Kosovës dhe aktualisht punon në Televizionin publik shqiptar. Ka realizuar rreth 15 dokumentarë. Disa prej tyre janë “ Tirana, atje ku preken ëndrrat”, “Kosova ime”, “Loti”, “Lagjet kala të Elbasanit” etj. Dokumentari është prodhim i Drejtorisë së Programeve Satelitore në Radio Televizionin Shqiptar. Dokumentari do të shfaqet së shpejti në Televizionin Satelitor Shqiptar. Zgjat rreth 50 min.
Çfarë u bë shkas për të realizuar një dokumentar për aktorin Nikolin Xhoja?
E konsideroj Nikolin Xhojën si një nga aktorët më të mëdhenj të teatrit dhe të filmit shqiptar. Në teatër, e kam parë dhe mendoj se është në plejadën më të lartë të aktorëve së bashku me Sulejman Pitarkën, Robert Ndrenikën etj. Kam qenë ideatori që të realizoja një dokumentar për të, e sugjerova në drejtorinë e prodhimeve satelitore dhe prej një viti kemi punuar për të.
Përse “Aktori që i ngriti monument vetes”?
Ky titull ka qenë ideja ime. Faktikisht, ai ka qenë një artist që i ngriti monument vetes, me lojën dhe me thjeshtësinë e tij. Ishte një njeri i jashtëzakonshëm në marrëdhënien shoqërore, një njeri i hapur një njeri i qeshur në familje, por mbi të gjitha një aktor i padiskutueshëm. Mirush Kabashi ka një shprehje për Nikolin Xhojën me të cilën unë pajtohem. Ai thotë: “Nikolin Xhoja përbën një shkollë më vete në aktrimin shqiptar dhe sidomos në teatrin shqiptar”. Kjo është e veçantë sepse ai vlerësohet nga bashkëkohësit e tij në mënyrën maksimale. Vlerësohet si guri më i rëndë i gjerdanit që ka pasur teatri i Durrësit.
Është dokumentari i parë për Nikolin Xhojën. Çfarë mendoni se keni realizuar nëpërmjet tij?
Ka pasur dhe një dokumentar që është transmetuar në një televizion italian për Nikolin Xhojën. Ata e trajtonin si aktor me origjinë italiane dhe që ka kontribuar për Shqipërinë. Por, unë mendoj se përpos faktit se origjina tij nga i ati është italiane, ai mbetet një aktor shqiptar. Prandaj e shikoj me rëndësi këtë dokumentar për të ngritur vlerat e një njeriu që i ka ngritur vetes një monument me punën që ka bërë. Fatkeqësi është që nuk ka lënë shumë filma. Por, ne kemi trajtuar dhe fatin e tij në fund të jetës. Sepse pavarësisht se ishte themelues i teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, familjes së tij nuk i është lejuar të bëjë as homazhet në teatër. Është nderi i madh për ne, por është edhe kthim i një borxhi. Një borxh që në ia kemi Nikolin Xhojës. Janë mëkatet e një brezi që duhet t’i shlyejmë.
Çfarë zërash keni shfrytëzuar në këtë dokumentar?
Ka intervista të miqve dhe kolegëve të tij, të atyre që e kanë njohur nga afër. Sepse shtëpia e tij ka qenë një teatër i dytë për të gjithë artistët. Aty bëheshin provat, bëheshin darkat dhe drekat. Për të pati një periudhë degradimi pas qarkullimit të një qarkoreje nga Komuniteti Qendror. Mbi bazën e kësaj qarkoreje duhet të merreshin masa ndaj të gjithë personave që kanë pasur lidhje me një ish-sekretar partie. Nikolin Xhoja nuk kishte asnjë lidhje me të përveçse e ka pasur komshi.
Si e mbajnë mend miqtë dhe kolegët, çfarë tregojnë për të?
Mund t’ju them dhe një batutë të një prej kolegëve të tij që thotë: “Nikolin Xhoja ishte një yll që ra nga qielli në teatrin Aleksandër Mosiu në Durrës. Ai ka qenë etaloni, ka qenë një aktor gjithmonë virtuoz.
Po nga të afërmit e tij kë keni takuar?
Në muajin tetor, në Durrës kemi takuar vajzën e tij. Ajo jeton në Itali, por kemi kontaktuar me të derisa realizuam intervistën. Një djalë e ka në Greqi, kurse një djalë tjetër së bashku me bashkëshorten nuk i jetojnë më. Përveçse është varrosur në mënyrën më të pamëshirshme, në vitin 1987, nuk i janë bërë as nderimet. Kolegët thonë se i është prishur dhe kortezhi sepse familjarëve nuk u është lejuar që të bëjnë homazhe në teatër. Por, më e keqja është se ai nuk ka shtëpi në Durrës.
Personalisht si e mbani mend Nikolin Xhojën?
E kam parë në televizorë që në vitin 1987, por në vitin1979 e kam parë në sallën e Teatrit Kombëtarë nga afër. E kam ndjekur në shumë role dhe gjithnjë më ka pëlqyer. Por duke punuar për shumë kohë me këtë punë kam mundur t’i shikoj aktorët me një tjetër sy, dhe të bëj një lloj përzgjedhjeje sipas kontributit të tyre real.
Jeni ndalur në një aspekt të veçantë të kontributit konkret të Nikolin Xhojës?
Nuk ka qenë e lehtë të bësh një dokumentar për Nikolin Xhojën. Është një punë me përgjegjësi. Sepse nuk kemi dashur t’i ngremë lapidar një njeriu që ia ka ngritur vetes monumentin. Por kemi dashur të rrëfenim jetën e këtij njeriu, peripecitë të kaluarin, t’i shkosh të vërtetës deri në fund asnjëherë nuk është e thjeshtë.
Me çfarë materialesh arkivore keni punuar?
Kemi punuar me materiale të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, me Arkivin e Filmit. me Arkivin Qendror të Shtetit, dhe në Arkivin e TVSh-së, të teatrit të Durrësit etj.
Karriera
Nikolin Xhoja (1924-1987) Brindisi, Itali. Fillimisht ka interpretuar me grupet amatore në Durrës dhe është ndër aktorët e parë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Ka luajtur në disa role në teatër dhe në filma.
Rolet në teatër janë: “Prefekti”, “Revizori”, “Martesa”, “Komisari Memo”, “I sëmuri për mend”, “Tregtarja e antikuarit” etj.
Në kinomatografi: 1967, “Horizontet e hapura”; 1970, “Kapedani”; 1975, “Çifti i lumtur”; 1976 “Thirrja”. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, më vonë me titullin e lartë “Artist i Popullit” etj. Në afro 30 vjet punë, ai krijoi figura të mrekullueshme, si ajo e Podgolisenit tek “Martesa” e Gogolit, xha Aliu tek “Njerëz mbi shkëmb”, Qazim Mulleti tek “Prefekti”, Rrapo Tabani tek “Koha e komisarëve” etj. Nikolin Xhoja në janar të vitit 1953, themeloi teatrin profesionist të Durrësit
Foleja u ngrit… dhe dallëndyshet erdhën…
Në një fillim pranvere, 5 vjet më parë, në atë gërmadhë që i kishte mbetur emri “Estradë” u arkitektuan sallat e teatrit të Tiranës, të pagëzuara me emrat e një kozmosi kulturor, “Shekspir”, “Çehov”, dhe “Bodrum”. Duke lënë për herë të parë mënjanë imazhin e thjeshtësisë, sepse siç ka thënë Shopenhauer, “virtyti i modestisë është një shpikje që u shërben vetëm budallenjve” kam të drejtë të jem krenar dhe dita e sotme është moment i duhur për ta shprehur. Kur më shumë se një vit më parë më përzunë nga Teatri i Metropolit dëgjoja shpesh fjalët “ta zunë vendin” dhe qeshja me keqardhje.
Me keqardhje sepse vendi im ka mbetur bosh, si në Teatrin e Metropolit, ashtu edhe në Teatrin Kombëtar, për fat të keq. Kjo që po them mund të tingëllojë si egocentrizëm, por është një e vërtetë që nëse të tjerët e pëshpëritin, unë kam kurajën ta them me zë të lartë. Politika zëvendëson drejtorët, por unë nuk kam qenë asnjëherë drejtor. Kam qenë njeriu të cilit i është dashur të shpalos një vizion të qartë, një ide, një ëndërr të hershme dhe një kërkesë të kohës që ndoshta ishte vonuar. Një proverb i vjetër thotë: “Ndërto folenë se dallëndyshet vijnë vetë”. Dhe si një njeri që i cakton vetes një mision, nuk më mjaftonte vetëm dëshira dhe ambicia duhet të isha dhe i fortë. Duhej punë, shumë punë. Duhet të bindja mosbesuesit dhe t’u imponohesha kundërshtarëve.
Por, isha me fat që fitova besimin e Edi Ramës, i cili në përurimin e një prej sallave të Teatrit të Metropolit tha: “Ky vend ishte një hiç dhe u bë me hiç, një mrekulli”. E kam të mbartur për sot dhe nesër një falënderim për të. Gjithashtu një falënderim për të gjithë kolegët që më mbështetën.
Falënderoj spektaronin artdashës të Tiranës dhe sidomos spektatorin e vogël dhe prindërit për teatrin e fëmijëve, bizneset e biznesmenët e kryeqytetit dhe vendi, artistët e rinj dhe në veçanti kumbarët e teatrit, shkrimtarin e madh Ismail Kadare, drejtorin e Teatrit Kombëtar të Rumanisë Jon Karamitru dhe aktorin e talentuar Enver Petrovci. Për gjithçka që është bërë në Teatrin e Metropolit e ardhmja do të jetë mirënjohëse sepse e tashmja nuk mund të jetë… Jam i shqetësuar që ende në Shqipëri nuk ka një politikë frymëzuese për kulturën dhe artin. Edi Rama është i vetmi politikan i cili me programin e kulturës për “Rilindje” të intrigon, të bën të thurësh një përrallë dhe të vendosësh edhe veten brenda. Foleja u ngrit…dhe dallëndyshet erdhën… -Kiço Londo/Shekulli.com.al/