Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor ndaj tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj – pas referimit nga ONM për ‘konflikt interesi’.
Nga Edmond Hoxhaj
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka nisur procedim disiplinor ndaj nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla dhe dy anëtarëve të tjerë, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj.
Procedimi disiplinor ka nisur në bazë të një informacioni të dorëzuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, ku tre anëtarët akuzohen për konfikt interesi në promovimin e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ndërsa kishin të punësuar familjarët e tyre në këtë institucion.
Nisja e procedimit për tre anëtarët u njoftua nga KLP të mërkurën, së bashku me vendimarrjet e mbledhjes plenare. Sipas njoftimit të KLP-së, anëtarët Alfred Balla, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj i kërkuan gjatë mbledhjes kryetarit Gent Ibrahimi që t’i drejtohej me shkresë Kuvendit për rastin e tyre.
“…të vihet në dukje vështirësia që paraqet kuadri ligjor në fushën e përgjegjësisë disiplinore të anëtarëve të Këshillave, duke pretenduar se nga njëra anë gjykojnë dhe vendosin mbi propozimet e ILD-së për masat disiplinore ndaj magjistratëve, ndërsa nga ana tjetër mund të jenë vetë subjekte të procedimit disiplinor,” thuhet në njoftimin e KLP-së mbi kërkesën e tre anëtarëve.
Këshilltarja për mediet pranë ILD, Mimoza Koçiu i tha BIRN se informacioni i paraqitur është në proces shqyrtimi administrativ.
Tre anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u referuan për ‘konflikt interesi’ në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë prej 15 prillit 2021 nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ndërsa verifikimi i rastit nisi tre muaj më pas, më 8 korrik.
Sipas informacionit të ONM-së, në kohën e votimit të Imerajt në krye të Prokurorisë së Tiranës, Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti kishin të punësuara vajzat në këtë institucion, ndërsa nënkryetari i KLP-së, Alfred Balla kishte të punësuar nipin.
I pyetur për procedimin disiplinor, nënkryetari Alfred Balla i tha BIRN se denoncimi ishte një gjueti shtrigash ndaj tre anëtarëve të Këshillit dhe e lidhi këtë me pozicionin e kryetarit të ardhshëm të KLP-së.
Ai mohoi ‘konfliktin e interesit’ në votimin e Imerajt dhe shtoi se përpara se ta zgjidhnin në Prokurorinë e Tiranës, e kishin zgjedhur atë edhe në SPAK ‘nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve’.
“Më duket habi dhe i stisur ky sulm, pasi e mendoj pse vetëm për ne të tre të zgjedhurit nga parlamenti që kemi mandat 5 vjeçar dhe jemi kandidatura potenciale për drejtues të KLP?”, tha Balla përmes një mesazhi të shkuar.
“Çuditem se nëse paska punuar nipi im informaticien disa muaj në prokurori, s’ka lidhje fare me Elisabetën, pasi unë Elisabetën e kam gjetur drejtuese. Por edhe sikur ta dija që nipi ka punuar aty sekretar disa muaj (bënte statistika) është punë e tij,” shtoi Balla, duke theksuar se aty kanë punuar edhe të afërm të prokurorëve.
Dy anëtarët e tjerë të Këshillit, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj nuk ju përgjigjën kërkesës për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.