Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në konferencën që mbajti në Kryeministri sëbashku me ambasadorin Soreca, se do të shkrijë “Agjencinë për media dhe informim” nëse pas një konsultimi me mediat do të paraqitet një fakt i vetëm për mbylljen e saj.
Rama tha se 6 organizatat që kërkojnë mbylljen e saj mund të kenë një takim me të për tu informuar mbi rolin e agjencisë pasi sipas tij nuk janë të informuar mbi të siç duhet.
Pas letrës së 6 organizatave ndërkombëtare që kërkojnë mbylljen e saj, Rama tha se i fton ata në një takim për t’u informuar mbi rolin e kësaj agjencie, ndërsa pretendoi se ata janë të keqinformuar mbi këtë çështje.
“Nuk e keni idenë për çfarë flisni kur flisni për këtë shqetësim. Megjithatë jam i gatshëm ti pres këta agjencitë së bashku me drejtorin e Agjencisë. Ju të pyesni dhe ne të përgjigjemi kështu në fund të kuptoni se kjo agjenci është e kundërta e asaj që thoni.
Është nisma për të garantuar transparencën maksimale me ju. Ky mekanizëm është për ju. Kur të doni dhe ku të doni vij dhe ju jap ëprgjigjie sepse keni një keqkuptim shumë të madh. Përpara se të flisni shqip me qeverinë tuaj, mbushni botën me imagjinime fallco për fantazma që janë në imagjinatën tuaj. Ju jap fjalën se nëse ju do arrini në përfundim”-tha Rama.
Çfarë është kjo agjenci dhe cili është misioni i saj?
“Agjencia ka si qëllim të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore dhe organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik”, thuhet në VKM.
Po ashtu, MIA drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit dhe përfaqëson agjencinë në marrëdhënie me të tretët, i cili emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra po nga Kryeministri.
Kjo agjenci do të ketë strukturat e saj në çdo ministri dhe do të përcaktohen nëpunës përgjegjës për informimin, komunikimin mediatik, të ngarkuar nga Agjencia me përfaqësimin e institucioneve respektive në komunikimet dhe raportet me publikun dhe mediat apo me çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm. /Ekskluzive.al