Emërimi në Gjykatën e Lartë i anëtarit të dhjetë që do të sillte plotësimin e Kushtetueses po has vështirësi të shumta. Sipas ligjit, Gjykata e Lartë duhet të ketë 10 emra që të bëjë emërimin e 3 anëtarëve të fundit të Kushtetueses.
Sot kjo gjykatë ka 9 anëtarë dhe emri i dhjetë nuk po emërohet dot. Sipas informacioneve të marra në rrugë jo zyrtare, mësohet se arsyeja kryesore që po mban peng procesin janë paditë në gjykatë. Shumë kandidatë të skualifkuar për në Gjykatën e Lartë kanë ndjekur rrugën administrative duke iu drejtuar gjykatave, në Gjykatën Administrative të Apelit ka pasur shumë padi, ndërsa më pas në momentin që gjykata i ka rrëzuar ata i janë drejtuar Gjykatës së Lartë.
Rasti më i fundit është i gjyqtares Klodiana Gjyzari, e cila u skualifkua për në Gjykatën e Vlorës. Ajo më 7 tetor ka ankimuar në Gjykatën e Lartë çështjen dhe pritet verdikti i kësaj të fundit. Sipas informacioneve ka dhe shumë emra të tjerë që kanë ndjekur të njëjtën rrugë dhe kjo ka bërë që të kemi bllokim të emërimeve të reja pasi po priten vendimet e gjykatës.
Vendimi i KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 04.03.2021 vendosi të skualifikojë zonjën Gjyzari nga gara. Argumenti i KLGJ ishte se ajo ishte shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Edhe pse vendimi nuk është i formës së prerë, sipas KLGJ kjo është masë disiplinore dhe përbën element për ta skualifkuar. “Lidhur me rrethanën që mund të passillte skualifikimin/ndalimin e kandidimit të saj për emërimin/ngritjen në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, në Njoftimin “Për gjetjen e procedurës së verifikimit”, kandidates i është bërë e ditur se “Shkarkimin nga detyra”, meVendimin nr. 341, datë 01.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përbënte masë disiplinore në kuptim të neneve 58, pika 1, shkronja “c”, 61 dhe 62, të Ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, shprehet KLGJ.
Më tej kjo e fundit ka deklaruar se fakti që masa disiplinore “Shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtares kandidate nuk është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk mund të çojë në mosekzistencën e kësaj mase disiplinore. “Me qëllim që të garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, pavarësia
e sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthehet besimi i publikut tek institucionet e këtij sistemi,
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me ndryshimet e vitit 2016, parashikoi ngritjen e sistemit
të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një proces ky i jashtëzakonshëm dhe tranzitor, që
kryhet nga organet e pavarura kushtetuese dhe që ka për qëllim kontrollin e ligjshmërisë së pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të pasjes së aftësive minimale profesionale. Në kuadër të këtij procesi ligjor, Kushtetuta dhe ligji i dalë në zbatim të saj (Ligji 84/2016), kanë konsideruar që, në raport me objektin e rivlerësimit kalimtar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vepron si organ disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në vendim. Tani mbetet të shihet vendimi i Gjykatës së Lartë, ndërsa KLGJ është në pritej të disa proceseve me qëllim emërimin e emrave të tjerë që do të sjellin zhbllokimin e situatës në Kushtetuese.