Pas disa orësh i shpallur në kërkim, Policia ka vënë në pranga ish-kreun e Kadastrës së Vlorës Klodjan Troci. Ai dyshohet se është pjesë e skemës së falsifikimit të një sërë dokumentesh të pronësisë në Dhërmi e Himarë.
Prokuroria e Vlorës bën me dije se gjatë kontrolleve në shtëpinë e Toçit, janë gjetur prova të shumta materiale dhe një shumë prej 60 mijë eurosh.
Sipas dosjes së Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në vitin 2021, Klodjan Troci, Bardhyl Gjika dhe specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumenteve arkivorë të pronësisë, si tapi pronësie apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, etj. të Bashkisë Himarë.
Sipas Prokurorisë, për një numër të konsiderueshëm praktikash, ata kanë bërë ‘një sy qorr’, ku ndonëse janë konstatuar dokumente pronësorë me ndërhyrje, i kanë njehsuar ato, duke i konfirmuar dhe përcjellë personave ose institucioneve kërkuese.