Kryeprokurorja Arta Marku ka shkarkuar kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdramataj, gjë që ka sjellë një furtunë reagimesh politike.
Kjo, pasi sipas opozitës, ky vendim është marrë për të mbyllur dosjen e Saimir Tahirit, dosje për të cilën Hajdarmataj dhe dy kolegë të tij punojnë prej 6 muajsh, por nuk kanë arritur të sjellin fakte apo prova të forta, që do të çonin në arrestimin dhe dënimin e ish-ministrit të Brendshëm.
Por Hajdarmataj në fakt, ka mbi supe “mëkate” të tjera edhe më të rënda, të cilat opozita nuk i përmend.
Fjala vjen, ai ka mbyllur dosjen e Arbër Kuliçi (Çekaj), të cilit vetëm pak javë më parë iu sekuestrua një sasi rekord kokaine.
Çështje që, sipas disa mediave, mund të çojë edhe në arrestimin e Hajdarmatajt.
Por nuk mbyllet me kaq.
Në disa media, duke iu referuar burimeve pranë Prokurorisë, thuhet se arsyeja e shkarkimit të Hajdarmataj, në fakt është një tjetër arsye.
Raportohet se ai nuk ka pranuar të firmosë urdhërin për arrestimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në njoftimin e Prokurorisë specifikohet se shkarkimi i Besim Hajdarmataj “ka për qëllim përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive që ka Prokuroria për Krime të Rënda”.
Më tej thuhet se shkarkimi i tij “do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë.”
Dhe një nga çështjet me përparësi të lartë këto kohët e fundit, ka qenë pikërisht ajo ndaj ish-kryeprokurorit Llalla.
Vetë Hajdarmataj tha se nuk i di arsyet përse e kanë shkarkuar.(TemA)