Presidenti Ilir Meta ka rikonfirmuar edhe një herë se Sali Berisha është pika e tij e dobët. Shpesh herë presidenti ka thënë që “doktorin” e ka dobësi dhe dje i ka rikonfirmuar dashurinë.
Berisha ka festuar 77-vjetorin dje dhe presidenti e ka telefonuar duke e uruar në këtë përvjetor. Padyshim ai ka ndarë dhe me ndjekësit detajet e urimit. “Sot e urova përzemërsisht Prof. Dr. Sali Berishën me rastin e 77-vjetorit të lindjes!
Për më tepër, që numri 77 sipas Biblës është edhe simbol i përsosmërisë”, tha Meta. Edhe pse në pamje të parë duket si urim normal për datëlindje, publikimi i tij në një kohë kur Berisha ka nisur një luftë të fortë me SHBA dhe Bashën. Meta edhe një herë tregoi se do i gjendet në krah ish-kryeministrit.
Lëvizjet e Metës
Presidenti Ilir Meta duket se është pozicionuar qartë në krah të ish-kryeministrit në betejën e brendshme të PD dhe në atë me amerikanët. Lëvizjet e Metës kanë qenë të shumta. I doli Berishës në krah në akuzat e tij se SHBA cenoi sovranitetin me kërkesën e përjashtimit. Po ashtu deklaroi se nuk do të lejojë që vendi të mbetet pa opozitë, duke dhënë sinjale se do të tentojë të marrë frenat e saj.
Ndërsa sinjali më i madh u dha gjatë takimit me Evi Kokalarin. “Jam e lumtur që më në fund takova presidentin Ilir Meta. Faleminderit për drekën e mrekullueshme dhe bisedën tuaj të sinqertë”, shprehej Kokalari. Mirëpo ky takim i aktivistes shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari erdhi një ditë pasi ajo deklaroi se nuk ka ambicie për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ndërkohë që dyshimet janë se ajo po negocion me presidentin Ilir Meta, i cili është mik i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe që nuk e ka shfaqur asnjëherë ambicien për të marrë drejtimin e kreu të opozitës.
Zoti Meta është në proces shkarkimi nga posti i kreut të shtetit dhe çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese. Por edhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë, në korrik të vitit tjetër atij i mbaron mandati si Presidenti i Republikës së Shqipërisë, kështu që po shfrytëzon mundësinë për t’u katapultuar në krye të Partisë Demokratike. Madje, këto dyshime shtohen akoma më shumë edhe për faktin se zonja Kokalari një ditë pasi së bashku me Berishën sulmuan Bashën shkoi tek Meta dhe për arsyen tjetër se ish-kryeministri ka raporte të mira me kreun e shtetit.
Luftë kreut demokrat për t’i marrë partinë
Pra, të gjitha këto tregojnë se jo vetëm është fuqizuar lëvizja anti-Basha e Berishës, por është futur në lojë dhe Ilir Meta, pasi i mbështetur nga ish-kryeministri po i shpallin luftë kreut demokrat për t’i marrë Partinë Demokratike. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që Ilir Meta dhe Sali Berisha prej vitesh kanë një aleancë publike me njëri-tjetrin. Kjo aleancë u forcua sidomos pas nisjes së reformës në drejtësi.