Ëndrra e kombëtares shqiptare për të shkruar në ‘Play of’ e Botërorit 2022, ka marrë një goditje të fortë mbrëmjen e sotme, pasi u mund nga Polonia me rezultatin 0-1 në stadiumin e ‘Air Albania’. Por kjo humbje u nxi edhe më së shumti me sjelljen e tifozëve shqiptarë.
Një grup i papërgjegjshëm i tifozëve ka shkatërruar gjithçka në “Air Albania” duke hedhur poshtë të gjithë lojën e bërë deri në minutën e 77 të ndeshjes nga kombëtarja kuqezi. Shqipëria pësoi një gol në minutën e 77-të nga Swiderski, por festa e polakëve u shkatërrua nga një grup tifozësh shqiptarë që kanë hedhur sende të forta në drejtim të tyre.
Për pasojë, loja u ndërpre për disa minuta për të rifilluar sërish, por delegati i ndeshjes ka qenë i qartë se “nëse do të hidhet edhe një shishe tjetër në fushë, ndeshja do të ndërpritej”.
Bizneset e hapura brenda stadiumit ‘Air Albania’ duket se kanë krijuar situatën e paprecedentë me hedhjen e shisheve në fushë.
Në një kohë kur policia ‘zhvesh’ nga çdo gjë tifozët në hyrje, shishe, çakmak, bidona, çadra, bizneset brenda shesin ujë me shishe.
Një gjë e tillë mund të shmangej, duke shitur ujin me gota, në mënyrë që të minimizoheshin edhe veprimet e dhunshme të tifozëve, të cilët rrezikuan ndërprerjen e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë.
Me këtë fitore, Polonia ngjitet në vendin e dytë me 17 pikë, ndërsa kuqezinjtë zbresin në vendin e 3 me 15 pikë.