Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Fatmir Mediun, në të cilin renditen arsyet pse u pranua kërkesa e SPAK për të gjykuar ish-ministrin.
Apeli i GJKKO-së argumenton se ish-ministri nuk është gjykuar më parë për çështjen Gërdeci dhe se edhe rënia e kushtit për të pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që i hap rrugën gjykimit.
Në vendimin e zbardhur thuhet se një rregull procedurial nuk e heq një deputet nga përgjegjësia për pasojat e veprimeve të tij por thjesht e pezullon deri në momentin kur pushon së qeni deputet.
Sipas gjykatës së Strasburgut imuniteti as nuk përfundon procedurat kundër aplikantit, por vendimi i pezullon ato, dhe meqënëse koha pushon për qëllimet e kufizimit, kur procedurat penale pezullohen për shkak të imunitetit parlamentar kursi i drejtësisë thjesht vonohet derisa i akuzuari të pushojë së qeni deputet, kur procedime kundër tij mund të rifillojnë”, thuhet në vendim.
Në lidhje me afatet e parashkrimit të çështjes, Apeli i GJKKO argumenton se brenda afatit 10 vjeçar që duhet për të parashkruar një çështje, Mediu është marrë në cilësinë e të pandehurit në vitin 2009.
“Neni 66 i Kodit penal, dispozitë e cila për rastin konkret, në mënyre eksplicite parashkruan se ‘nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes përsipër si të pandehur kanë kaluar 10 vjet nga krimet që parashikojnë dënimin nga 5-10 vjet burgim.
Ndjekja penale ndaj Fatmir Mediut nuk është shuar, pasi brenda afatit kohor 10 vjeçar nga kryerja e veprës penale ai mori cilësinë e të pandehurit në gjykim penal të ngritur përkundrejt tij”, thuhet në vendim e GJKKO.
Çështja ndaj ish-ministrit të mbrojtjes për shpërtimin në Gërdec, që i mori jetën 26 personave në mars të 2008, u mbyll një vit më vonë, më 14 shtator 2009, kur ai u ri-zgjodh deputet. Avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan mbylljen e çështjes, duke argumentuar se prokuroria duhet t’i kërkonte sërish autorizim Kuvendit për heqjen e imunitetit.
Çështja u rihap pas kallëzimit në SPAK nga Zamira Durda, e cila në shpërthim humbi të birin. Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për te ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk kishte prova të reja, por Apeli e riktheu për hetim.