SPAK mbyll hetimet dhe çon për gjykim 10 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për tenderin e uniformave.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datë 11.10.2021 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve E.N.; Flutura Çekrezi; Anisa Bogdani; A.M.; Ani Omuri; Fatmir Demneri; Kleviz Hasani; Kreshnik Bejkaj; Mariglen Buzali; Gëzim Mingaj, akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë hetimit, sipas SPAK, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit në atë kohë në Ministrinë e Brendshme dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).
Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E.N., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit Flutura Çekrezi; Anisa Bogdani; Ani Omuri; Kleviz Hasani; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Kreshnik Bejkaj; Fatmir Demneri; Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj, të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cenimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.