Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias do të organizojë Konferencën e 8-të për median në Europën Juglindore me temë “Gazetaria në kohë krize” në datat 11 dhe 12 tetor në Shqipëri.
Konferenca do të hapet nga Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, kryeministri Edi Rama dhe nga kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco. Julie Posetti, drejtoresha e Përgjithshme e Kërkimit të Qendrës Ndërkombëtare për Gazetarët, do të mbajë fjalimin kryesor. Seanca e parë e kësaj konference do të përqendrohet tek çështja e dezinformimit dhe shkaqet që e krijojnë atë, tek rreziku përkatës dhe tek roli kundërshtues që mund të luajë gazetaria.
Paneli do të ofrojë një tablo më të mirë të dezinformimit dhe të shkaqeve që e krijojnë atë, të rreziqeve që kanosen prej tij dhe të rolit që mund të luajë gazetaria për t’iu kundërvënë dezinformimit. Gjithashtu, pjesëtarët e panelit do të diskutojnë nismat dhe praktikat e rajonit për t’iu qasur këtij rreziku që kërcënon peizazhin pluralist të medias, si asaj tradicionale edhe asaj në rrjet dhe do të propozojnë zgjidhje për përmirësimin e mëtejshëm të medias.
Seanca e dytë trajton praktikat më të mira dhe përpjekjet për të lehtësuar situatën e rënduar të gazetarëve të rajonit, duke përfshirë pengesat që ata hasin përgjatë zhvillimit të veprimtarive gazetareske dhe zbatimit të të drejtës së shprehjes. Paneli në seancën e dytë do të ofrojë njohuri më të thelluara për tendencat në rajon dhe për sfidat aktuale në lidhje me sigurinë dhe me kushtet e punës së gazetarëve, me dëshmi personale nga dy gazetarë të rajonit. Seanca e tretë do të trajtojë përfshirjen dhe përfaqësimin e barabartë të grave në sektorin e medias dhe do të shërbejë si platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e posaçme për shkak të gjinisë me të cilat përballen gazetarët në rajonin e Europës Juglindore.