Deklarata e kryeministrit Rama të premten se bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës mbetet aspiratë ka alarmuar serbët. Ministri i Brendshëm serb dhe Presidenti i Lëvizjes Socialiste të Serbisë, Aleksandër Vulin ka reaguar ndaj deklaratës së Ramës.
Ai u shpreh se kur Rama bën të tilla deklarata, vendet e Ballkanit heshtin, UNMIK hesht madje edhe BE, e cila shpesh bën thirrje për vetëpërmbajte. Vulin tha se kur Serbia thotë diçka lidhur me këtë çështje të gjithë reagojnë dhe kanë diçka për të thënë. Por sipas tij teksa të gjithë heshtin për “Shqipërinë e Madhe” ka ardhur koha që serbët të flasin.
“Kur kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se detyra e karrierës së tij politike është “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, të gjitha vendet e Ballkanit heshtin, UNMIK -u, i cili kontrollon Kosovën hesht dhe BE-ja nuk nxjerr deklaratat e saj të famshme që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje.
Kur unë, i cili nuk jam kryeministër i Serbisë, thërras në emrin tim për unitetin politik të serbëve dhe them se detyra e brezit tim është të krijojë një “botë serbe”, atëherë i gjithë rajoni reagon dhe BE ka diçka për të thënë. Të gjithë heshtin për “Shqipërinë e Madhe”, serbët duhet të flasin. Pengesa e vetme për “Shqipërinë e Madhe” është krijimi i një “bote serbe””, tha ai.
Rama thirrje Serbisë të njohë Kosovën
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama në një intervistë për një media spanjolle teksa foli për çështjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe faktin se Spanja është një nga 27 vendet që ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, kryeministri i Shqipërisë u shpreh se pozicioni i Spanjës nuk ka të bëjë me problemet që mund të ketë Kosova.
Sipas kryeministrit, Serbia duhet të njohë patjetër Kosovën pasi kjo është një çështje që sjell probleme. “Sigurisht që Kosova është problemi i fundit i hapur, i pazgjidhur pas procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia duhet ta njohë Kosovën. Ne e dimë mirë që pozicioni i Spanjës nuk ka lidhje me ndonjë problem me shqiptarët, por me historinë e saj, me problemet e saj të brendshme. Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet e pavarura apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri u ndal edhe tek integrimi i vendit tonë në Bashkimin Europian për të cilin u shpreh se duhet të bëjmë ende më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet. Rama tha se Shqipëria e meriton të bëjë një hap më shumë përpara për fillimin e negociatave formale. “Sigurisht që jemi vende të cilët do të duhet të bëjmë shumë më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian. Por e meritojmë të hedhim tashmë hapa të tjerë përpara dhe të fillojmë negociatat formale”, u shpreh kryeministri. /NGA ALEKSANDRA HOXHAJ