Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se ia kanë arritën qëllimit për të shkrirë Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, LSI e drejtuar nga Monika Kryemadhi pësoi një disfatë të thellë, ku nga 19 deputetë që kishte, mori vetëm 4. Si PS, ashtu edhe PD nuk e morën LSI-në në koalicion në zgjedhjet e fundit dhe gjatë fushatës zgjedhore punuan kundër saj, strategji kjo që rezultoi fatale për partinë e Kryemadhit.
Për rrjedhojë, rezultati i dobët që korri në 25 prill është kthyer në dhimbje koke për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Gazeta i ka bërë një analizë situatës politike dhe legjislative, teksa rezulton se partia e Metës ka dalë tërësisht jashtë loje në Kuvend. Më konkretisht, të pasurit vetëm 4 deputetë, e ka lënë LSI-në pa grup parlamentar. Madje, një goditje Lëvizjes Socialiste për Integrim ia ka dhënë vetë Partia Demokratike, e cila nuk ka pranuar t’i japë deputetë nga përfaqësuesit e saj, në mënyrë që LSI të formonte grupin parlamentar, i cili sipas Rregullores së Kuvendit duhet të ketë jo më pak se 7 deputetë.
Sot që flasim në Parlament janë katër grupe parlamentare. Bëhet fjalë për grupin parlamentar të Partisë Socialiste me 74 deputetë dhe që ka kryetar Taulant Ballën, grupin parlamentar të Partisë Demokratike me 43 deputetë dhe që kryetar ka Alfred Rushajn, grupi për Demokraci dhe Integrim me 7 deputetë dhe që ka si kryetare Mesila Dodën, si dhe grupi Aleanca për Ndryshim me 7 deputetë që ka kryetar Fatmir Mediun. Ndërkohë, përveç LSI pa grupe parlamentare janë edhe 3 deputetët e Partisë Social Demokrate dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
LSI s’ka grup dhe del jashtë loje në Kuvend
Kështu që nisur nga të gjitha këto, vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim është pa grup parlamentar, qasje kjo që e ka penalizuar atë në jetën parlamentare, pasi nuk ka të drejtë të jetë pjesë e Konferencës së Kryetarëve, Byrosë së Kuvendit, si dhe në seancat plenare ajo ka në dispozicion shumë pak minuta për të folur, ndërsa vota e saj as që nuk llogaritet më, pasi nuk iu hyn në punë dy partive të mëdhaja. Dhe sikur të mos mjaftonin këto,
LSI ka zero vendimmarrje edhe në Komisionet e Posaçme që mund të ngrihet, siç është ai për reformën zgjedhore apo territoriale. Kjo do të thotë se plani i Ramës dhe Bashës për ta shkrirë Lëvizjen Socialiste për Integrim po funksionin më së miri, pasi e kanë nxjerrë totalisht jashtë lojë partinë e Kryemadhit.
Pra, Rama dhe Basha mund të vendosin për gjithçka nëse gjejnë dakordësinë, ndërkohë që LSI nuk ka akses dhe të drejtë vote, për asgjë, nëse vlen fjala për një nga çështjet e sipërpërmendura. Më herët gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kryeministri Edi Rama akuzoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se janë kundër reformës në drejtësi. Gjatë prezantimit “Drejtësia që duam”, Rama theksoi se PD, LSI dhe KÇK, sipas tij, janë 3 këmbët e të keqes me dy koka presidentësh, që kërcënojnë fatin e reformës në drejtësi.