Kujtimet e Ema Qazimit në një intrevistë
Kur e keni takuar për herë të parë Vaçen?
Në vitin 1968, kur unë u ngjita në skenë për herë të parë. Isha 14 vjeçe.
Keni kënduar bashkë?
Me këngën e mësipërme kam pasur fatin të këndoj me të, në vitin 1968. Atëherë isha një vajzë e vogël, mjaft e re. Kënga ishte “Ylli partizan”, me kompozim të Agim Krajkës.
Çfarë mbani mend, si ishte ky takim me të?
Sigurisht që e njihja përpara se të hyja në festival, e adhuroja, e kisha idhull. E dëgjoja në radio, pasi televizor nuk kishim. E ndiqja çdo herë në radio, mbaja frymën kur ajo këndonte.
Po kur u takuat?
Ishte një përgjegjësi e madhe të qëndroje para Vaçe Zelës. Më shikonte me adhurim dhe nuk më pa si konkurrente në asnjë moment. Në fakt, isha unë që e adhuroja atë ikonë.
Çfarë marrëdhënieje keni pasur me të, përveç adhurimit si këngëtare?
Kam shkuar mjaft mirë me të. Ajo ishte shumë modeste, mjaft e përulur dhe shumë e komunikueshme. E thjeshtë
Çfarë kishte tek Vaçja që tërhiqte aq shumë, që e adhuronit si artiste?
Do t’ju përshkruaj se si shfaqej Vaçja para nesh. Në prova kjo ishte më e dukshme. Ajo të magjepste me prezencën e saj. Qëndrimi i saj para mikrofonit ishte nga më fantastike, një artiste e madhe. E shihnim çdo lëvizje të saj deri në imtësi, se si lëvizte dorën, si hapte krahun, si shikonte çdo të që ajo bënte për ne ishte një magjepsje. Ajo ishte artiste në çdo aspekt. Kishte stil, kishte nur, kishte sharm në skenë. Krijonte një magji rreth saj në momentin që dilte para mikrofonit. Këtë mund ta krijojë vetëm një artiste botërore siç ajo ishte.
Më vjen keq që nga këto pasazhe kaq magjepse nuk ka asgjë të dokumentuar. Nuk ka arkiv në televizion. Gjithë qenia e saj jepej në skenë. Ajo i vinte vulën këngës.
Mjaftonte një lëvizje e saj për të na magjepsur.
Kjo ishte Vaçja artiste, po si njeri, si mikeshe?
Tek Vaçja ishin mbledhur të gjithë të mirat e botës. Ajo ishte një grua mjaft inteligjente, me një intuitë të jashtëzakonshme. Një nënë e jashtëzakonshme për vajzën e saj të vetme, Irmën. Tek Vaçja përmblidhej gjithçka në mënyrë të përsosur. Ishte rrobaqepëse, stiliste, gatuante në mënyrë të jashtëzakonshme, kishte shije në çdo gjë, mjaft gusto. Por mbi të gjitha, fjala e saj kishte peshë, ajo nuk e konsumonte atë.
Është interesante në gjithë çfarë thoni, a ka shprehur ndonjëherë mendimin ose edhe ndjesi se në Shqipëri po frustrohej për nga përmasa e talentit që kishte?
Sigurisht ka pasur momente, por asnjëherë nuk e shprehte me fjalë. Kjo kuptohej tek Vaçja. Mjafton t’ju tregoj vetëm një rast. Kur kemi qenë për vizitë në Greqi dhe Paris, sidomos në Paris, ka qenë një histori e jashtëzakonshme. Shkuan një grup i vogël prej katër këngëtarësh: unë, Vaçja, Gaqo dhe Petrit Lulo. Ka qenë një befasi e jashtëzakonshme. Në mbrëmje shkuam të darkonim në një lokal.
Atje Vaçja mori kitarën dhe nisi të këndonte këngë jo shqiptare, një larmi kanconetash. Njerëzit u magjepsën. Ne u magjepsëm. Lokali u mbush plot, nuk kishte vende. Shikonin nga dritarja. Ky është një rast për të kuptuar arsyen e shpërthimit të Vaçes dhe për të ndier çfarë mbante ajo brenda saj. Sigurisht ajo e ndiente kufizimin përderisa këto këngë nuk i këndonte dot në Shqipëri. Ajo ishte realisht e kufizuar për çfarë ishte, çfarë përmasash kishte si këngëtare. Ajo ishte me përmasa botërore. Ky shembull që ju tregova nuk ka lidhje për të kuptuar vetëm ndjesitë e Vaçes, por edhe përmasën e saj. Çfarë ajo ndiente, sigurisht, që nuk mund ta shprehte dot këtu. Ajo ishte e përmbajtur. S’kishte çfarë të bënte, duhej të pajtohej me kohën.
Ka mbetur enigmë gjithmonë fakti se pas 92-shit, kur iku, Vaçja nuk u kthye asnjëherë në Shqipëri, ju ç’mendoni?
Nuk besoj se ka vend për enigmë. Vaçja vuante nga mushkëritë qysh në kohën e diktaturës, qysh këtu në Shqipëri. Dhe ky rast për t’u larguar ndoshta i bëri mirë, pasi po të qëndronte këtu, mendoj se do kishte ikur nga jeta me kohë. Ajo vuajti, edhe në Bazel vuajti shumë.
Ju e keni vizituar ndonjëherë, keni qenë në Basel?
Po, isha para një viti. E bija dhe bashkëshorti, Pjetri, më bënë një pritje të jashtëzakonshme. Shtëpia e tyre ishte përherë e hapur. Kemi biseduar gjatë, jemi çmallur. Vaçja mezi fliste, ishte shumë sëmurë.
Çfarë biseduat, ju shprehu ndonjë brengë apo amanet se ku do të dëshironte të prehej?
Sigurisht ajo kishte mjaft brenga, e sidomos për të qenit larg Shqipërisë, pamundësia për të qenë këtu, që nuk mundte të vinte. Kjo e brengoste gjithë kohën. Nuk mund t’ju them se ku donte të prehej, por për një gjë shprehej vazhdimisht, që më bënte përshtypje, në këshillën që i jepte së bijës për t’u martuar me shqiptar, dhe jo të huaj. Kjo mendoj ka domethënie për të. Vaçja ishte një mit, legjendë për vendin e saj, por mendoj se kjo duhej të vlerësohej në kohën e duhur. Jam shumë e hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta, sot mezi po e përmbaj veten, më janë këputur këmbët, duart nuk më lëvizin. Me gjithë shpirt s’doja që ajo të ishte larg, nuk e imagjinoj që nuk jeton më. Ajo u bë legjendë duke qenë gjallë. E çfarë kanë më tepër se ajo këngëtaret e famshme në botë?! Intervistoi: Violeta Murati/Standard/