Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur lëvizjet për të ndalur përçarjen e partisë nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Pavarësisht udhëzimit për deputetët demokratë që të dalin krah qytetarëve sa i takon rritjes së çmimeve të bukës, energjisë, etj., kryedemokrati Basha ka shtuar së fundmi kontaktet me krerët e PD, të cilët i ka porositur që të vënë në dijeni anëtarësinë si qëndron e vërteta e përplasjes Basha-Berisha.
Gazeta ka mësuar se këto ditë degëve të Partisë Demorkatike iu ka shkuar një tjetër qarkore, ku iu kërkohet që në takimet që do të zhvillojnë me demokratët, t’iu bëhet e ditur si qëndron e vërteta e aksionit të nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe se përse ky i fundit tashmë është një politikan që nuk premton dhe që i ka ikur koha.
Sistemi Berisha ka rënë dhe nuk ka për t’u ngritur më
Kështu, në qarkore iu kërkohet degëve që në takime t’i thuhet anëtarësisë se sistemi i Berishës ka rënë dhe nuk ka për t’u ngritur më. Madje, shkohet deri atje se ish-kryeministrin Berisha e etiketojnë si një statujë që ndryshe nga diktatori Enver Hoxha është gjallë dhe se nuk ofron shpresë dhe progres për qytetarët shqiptarë e në veçanti demokratët, duke qenë se ka nisur një tur takimesh në bazë kundër Bashës.
“Krenaria e partisë është rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës dhe kjo përkujtohet vit për vit nga demokratët si moment i ardhjes së lirisë e demokracisë në Shqipërinë tonë. E sot vetë disa nga demokratët pas 30 vitesh janë rreshtuar përkrah atij që ka 30 vite në politike dhe i ka thënë çfarë ka pasur për të thënë dhe që u rrëzua nga pushteti në 2013 jo vetëm për fajin e tij, por edhe për fajet e atyre që i shkojnë sot nga mbrapa të foltoret e tij.
Por nëse Enveri ishte statujë e vdekur, Berisha është një statujë e gjallë e prandaj këtu lind keqkuptimi. Sistemi i Berishës ka rënë dhe e kanë rrëzuar amerikanët njëlloj siç amerikanët rrëzuan sistemin e Enverit”, thuhet në qarkore.
Berishën e presin shumë telashe në të ardhmen
Më tej në qarkoren që disponon gazeta “SOT”, udhëzohen krerët e degëve të PD të porosisin bazën demokrate që të distancohen nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe aksioni i tij kundër Lulzim Bashës, pasi kjo nismë synon të përçajë partinë dhe jo ta bashkojë siç pretendon ish-lideri demokrat.
Sipas asaj që thuhet në qarkore, Berisha është rrëzuar tashmë nga amerikanët dhe kjo s’ka më kthim pas, ndërsa vihet në dukje fakti se ish-liderin demokrat e presin shumë telashe në të ardhmen. “Kur amerikanët u futen në Shqipëri në vitin 1990 dhe rrezuan sistemin njerëzit e patën më të lehtë për ta kuptuar sepse Enveri kishte vdekur dhe statuja e tij ishte statujë e vdekur.
Duke qenë gjallë Berisha, njerëzit që po e ndjekin nuk po e kuptojnë se sistemi i tij ka rënë dhe është rrezuar, madje e presin edhe telashe në të ardhmen. E kanë rrëzuar amerikanët dhe nuk mund të ringrihet më asnjëherë. Nuk ka kthim mbrapa për Sali Berishën. Njerëzit këtë nuk po e kuptojnë sepse në këtë rast statuja është e gjallë, ju flet dhe ata gënjehen, ju duket sikur do rikthehet përsëri”, thuhet në qarkore.
Pra, përmes kësaj qarkoreje, të cilën krerët e degës e kanë ndarë me anëtarësinë në mbledhjet që kana zhvilluar deri më tani, kryedemokrati Lulzim Basha po tregon se atij i intereson që Partia Demokratike të mos përçahet nga aksioni i nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe se bëhet e ditur që ky i fundit tashmë nuk ka për t’u ngritur më, pasi e presin shumë telashe, kështu që nuk duhet dëgjuar dhe mbështetur.