Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një dalje televizive foli rreth reformës zgjedhore dhe qëndrimit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Bylykbashi u shpreh se nuk mund ta nxjerrë dot askush nga PD pasi kreu demokrat Lulzim Basha nuk mund të marrë vendime të tilla.
Ai tha se nuk e zotëron me tapi partinë, por ekspertiza e tij dhe përvoja i ka vyer partisë. Sipas Bylykbashit, Basha e ka marrë këtë vendim duke gjykuar se kështu mund të ecë më mirë. “Askush nuk më nxjerr dot mua nga PD, as nga grupi parlamentar, pasi një kryetar nuk e ka të drejtë për të marrë këto vendime, ajo që e zgjidh këtë punë është kutia e votimit.
Ne do të jemi aty, ne jemi të gjithë në PD. Unë nuk besoj që e kam me tapi këtë gjë. Por eksperiencën time 20 vjeçare askush nuk ma heq nga lëkura politike dhe teknike. Ekspertiza që kam, njohja e sistemit zgjedhor është një gjë, që më vyen mua, i ka vyer edhe PD-së, por nuk i di arsyet, gjykoj që Basha në atë vendim që ka marrë gjykon se ashtu do të ecë më mirë”, tha ai.
Bylykbashi po ashtu u ndal edhe tek ish-kryeministri Sali Berisha për të cilin u shpreh se duhet të japë një sqarim për të ditur arsyen sesi gjërat erdhën në këtë pikë. Deputeti tha se partia nuk duhet të njihet me emrin e kryetarit teksa u shpreh se është barra e Berishës për të dhënë një sqarim lidhur me situatën e tanishme. “Është një urë shumë e rrezikshme që partitë të njihen me emrin e kryetarëve. Kam punuar gjatë me Sali Berishën. Për 6 vite me atë në zyrë. Sali Berisha sa e kam parë unë nuk e pashë kurrë të merrte një vendim për të mos hyrë në zgjedhje apo për të djegur mandate.
Kam parë shumë detaje të këtij lloj. Kam dëgjuar të thotë që ky vendim mund të na çojë edhe në sukses edhe në katastrofë. Kam pasur mundësinë për të lexuar mesazhet që është shumë e lehtë, por nuk më ka rezultuar ashtu. Edhe në foltoren e Durrësit isha aty për të dëgjuar atë pse zoti Berisha na e ka borxh të gjithëve pse gjërat erdhën deri këtu. Është barra e tij për ta shpjeguar këtë gjë. Unë kam diskutuar edhe me zotin Berisha për këtë”, u shpreh ai.