Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sërish ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor. Pas rrëzimit për herësin, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kufizimin e pragut 1 për qind në rang kombëtar.
Gjykata i ka dhënë pjesërisht të drejtë kandidatit të pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshit, i cili ishte propozuar si kandidat nga zgjedhësit. Në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese bëhet me dije se gjykata ka kërkuar shfuqizimin e fjalisë së dytë të pikës 1 të nenit 162, e cila thotë se për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi.
Sipas arsyetimit në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi bëhet pasi kjo fjali është e papajtueshme me Kushtetutën, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt:
Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit. Për këto arsye Gjykata Kushtetuese, vendosi: Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike”, njofton Gjykata Kushtetuese.
Javën e ardhshme vendoset fati i zgjedhjeve vendore
Javën që vjen priten sërish zhvillime nga ana e Kushtetueses. Më 14 tetor Komisioni i Venecias do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e gjykatës për zgjedhjet e 30 qershorit. Shoqata e Bashkive i cilësoi të paligjshme zgjedhjet vendore dhe bëri një padi në Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi të marrë mendimin e Komisionit të Venecias. Ky i fundit do të mblidhet në seancë plenare më 14 tetor dhe do të jepet mendim nëse shtyrja e zgjedhjeve nga presidenti ishte apo jo e ligjshme. Megjithatë Venecia gjithmonë i lë të hapura mundësitë e interpretimit dhe në fund do të jetë Kushtetuesja që do të marrë vendimin final. Sinjalet janë se PS po përgatitet për zgjedhje vendore dhe ka gjasa që në prill të kemi zgjedhje të reja.