Petraq Qafëzezi, inxhinier, aviator, si dhe autor i një sërë poezish dhe romanesh, tregon historinë se në çfarë rrethanash u shkrua skenari i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, që mori shkas nga romani i tij “Bonjakët”, botuar në vitin 1972.
Përse fillimisht filmi nuk u pëlqye nga zyrtarët burokratë të partisë? Si ndryshoi rrjedha dhe fati i tij pasi filmi ishte parë pa u shfaqur në familjen Hoxha? Nisja e karrierës me një dëshirë të hershme për t’u bërë pilot, dëbimi nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe peripecitë e punësimit në atdhe..
Kush është Petraq Qafëzezi – Është i njohur më së shumti në opinionin publik shqiptar si autor tekstesh dhe pjesëmarrës i të gjithë festivaleve në Radiotelevizionin Shqiptar, deri në atë të 11-tin. Por ajo që i dha më tepër famë, ishte romani i tij autobiografik “Bonjakët”, që shërbeu edhe si bazë e skenarit të filmit të mirënjohur “Lulëkuqet mbi mure”.
Filmi në fjalë fitoi atë mot çmimin e parë, si për regjinë, ashtu edhe skenarin. Por fama e tij nuk mbaron këtu. Petraq Qafëzezi mbetet edhe piloti i parë shqiptar, i cili në vitin 1958 u hodh me katapultë nga një distancë e rrezikshme, pasi avioni me të cilin kryente stërvitje po rrëzohej në afërsi të bregdetit midis Fierit dhe Vlorës, pranë Pish Poros.
Skenari i filmit, sulmi nga zyrtarët e paaftë – Zanafilla për përzgjedhjen e romanit “Bonjakët”, që ai të ekranizohej, ka nisur pas një sugjerimi që shkrimtari Vath Koreshi i bëri regjisorit Dhimitër Anagnosti. Ishte koha kur Anagnosti po kërkonte një skenar të ri për filmin e tij dhe Koreshi i sugjeroi romanin “Bonjakët”.
Ai e lexoi dhe shprehu interesim për të, por skenari për filmin do të punohej nga e para. Petraqi tregon se i gjithë xhirimi i filmit u bë pa u shfaqur asnjë fragment. “Vetëm Dhimitri, unë dhe piktori i dinim xhirimet e tij. Gjithçka u mbajt e fshehtë. Gjithsesi, filmi sapo kishte mbaruar dhe u hapën fjalë se “së shpejti do të shfaqet një film i ri shumë i bukur”. Sidoqoftë do të ishte komisioni i posaçëm në kinostudio që do të vendoste për fatin e filmit dhe vendimtar do të ishte qëndrimi partiak që do të mbahej.
Ndodhi pikë për pikë kështu. Në sallën me vetëm pak persona, në një qetësi absolute, u bë shikimi i filmit. Në mbarim të tij, të gjithë anëtarët e komisionit në kinostudio na përqafuan. Pa mbaruar entuziazmi ynë, na thanë se në orën 20:00 krijuesit duhet të jenë përsëri aty se filmin do ta shohin njerëzit e partisë. Erdhën edhe ata. Përsëri salla bosh, me vetëm 4-5 vetë që e ndiqnin pa reaguar fare.
Në fund nuk thanë asgjë. As na pëlqeu, as nuk na pëlqeu, por vetëm u shprehën: Shkoni tek zyra e drejtorit! Aty nisën pyetjet absurde, si: “Ç’është ky titull more, ç’janë këto “Lulëkuqet mbi mure”. Ne u thamë se është gjetur ky titull si simbol i kapërcimit të robërisë etj, etj. Më pas vinte pyetja tjetër: Po ky kujdestar frikacak ç’është? Çfarë doni të thoni me këtë?
Në një moment ndërhyri Dhimitër Anagnosti dhe tha se “këto nuk janë gjëra të sajuara, sepse vetë Petraqi është rritur në shtëpinë e fëmijës”. Me një fjalë na telendisën dhe dushi që na dhanë do të pasohej me një gjendje ankthi për disa ditë me radhë. Megjithatë, filmi “Lulëkuqet mbi mure” mori miratimin e komisionit. Nga kjo situatë, Dhimitri thuajse u ngujua në shtëpi.
Nuk dilte fare. Unë isha në hall për veten time. Kisha një gjendje ankthi dhe pasigurie. Në këtë kohë, meqë ishte fundi i vitit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve ishte mbrapa me veprat e 5-vjeçarit, më caktuan edhe mua që të shkoja për ndihmë. Pikërisht në këtë institut gjeta edhe vajzën e Enver Hoxhës, Pranverën dhe bashkëshortin e saj, Klement Kolanecin. Një mëngjes, Klementi m’u afrua duke qeshur dhe, pasi më përqafoi, më tha: “Na kënaqe me filmin!”
Fillimisht nuk e kuptova, por pas disa orësh shkova e takova përsëri Klemin dhe i thashë: “Të lutem, unë kam blerë një gjel për Vitin e Ri. Më thuaj, ta ha i qetë apo jo?” Klemi më tha: “Pa merak, ha edhe dy po të kesh mundësi”! Pas kësaj shkova me vrap tek shtëpia e Dhimitrit. Trokita tek dera disa herë. Ai përgjigjej me frikë nga brenda: “Kush është?” Unë ia ktheva: “Dil jashtë se kam marrë lajme të mira”. Kështu dolëm të dy dhe pa hyrë mirë tek oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve, të gjithë që na panë na uruan për filmin, madje edhe njerëz që nuk e prisnim. Filmi, pasi u shfaq për publikun, mori çmimin e parë si skenar dhe regji.
Fati i filmit në dorë të Nexhmije Hoxhës – Thashethemet që nisën për filmin “Lulëkuqet mbi mure” bënë që për të të interesohej dhe familja Hoxha. Filmi ishte shfaqur një mbrëmje enkas për familjen e tij dhe shpejt u mësua se ai ishte pëlqyer shumë, sidomos nga Nexhmije Hoxha.
Megjithëse filmi evokon, midis të tjerash, edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend, përsëri censura mund të kapej në çdo gjë dhe mund të ndodhte që filmi të mos shfaqej kurrë. Vetë Petraqi thotë se elementi që përdoret në film, që banorët e qytetit ku ndodhej jetimorja, merrnin herë pas here fëmijë jetimë për dreka ose darka, ka një të vërtetë. Kjo gjë ndodhte edhe në kohën që ai ishte vetë fëmijë në jetimore./Aktoret.com/