Sot 2 tetor, pritet të marrë fund bllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë. KFOR ka nisur vendosjen në pikat kufiatre, pasi Njësitë Speciale janë gati të largohen nga këto 2 pikëkalime.
Mediet kosovare kanë publikuar pamjet nga momenti i vendosjes së KFOR-it në kufi.
Këto dy pika kufitare janë bllokuar prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës moti vendimin që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.
Më 30 shtator u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave.
Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.