Analisti Frrok Çupi dhe avokat Spartak Ngjela kanë rrëzuar zërat se presidenti Ilir Meta pas shkarkimit apo largimit nga Presidenca, mund të marrë frenat e opozitës.
Në 2 vitet e fundit presidenti Ilir Meta ka pasur përplasje të forta me mazhorancën socialiste dhe ndërkombëtarët, ndërkohë që herë pas here është shfaqur protagonist duke u sjellë më shumë si kryetar i opozitës se sa President i Republikës së Shqipërisë.
Por dje ai është futur në lojë dhe i është bashkuar lëvizjes së Berishës kundër Bashës, ndërsa ka takuar aktivisten shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, e cila aktualisht është një ndër njerëzit më të aftër të ish-kryeministrit Berisha. Ky takim nxori në pah edhe njëherë ambicien e Metës për të marrë drejtimin e opozitës.
Meta ta harrojë se mund të marrë drejtimin e opozitës
Gazeta “SOT” bisedoi dje me analistin Çupi, i cili u shpreh i bindur se Meta nuk ka shanse ta marrë drejtimin e opozitës. Madje për të arsyetuar mendimin e tij, zoti Çupi theksoi se kreu i shtetit shumë shpejt do jetë subjekt i organeve të drejtësisë dhe se sipas tij, amerikanët e kanë ndarë mendjen që në krye të PD do jetë Lulzim Basha.
“Po të kishte shpresë se Meta merr opozitën, Meta dhe Berisha do shfaqeshin në një pamje tjetër, me të ngrefosur dhe më të sigurt. Por e dinë tashmë se kjo nuk bëhet. Të dy do jenë para drejtësisë si dëshmitarë ndaj njëri-tjetrit. Tashmë është e qartë se kryetar i opozitës do jetë, Lul Basha.
Ky është një politikan plot defekte, por mes atij grupimi vetëm defektoz ky është zgjedhur si kryetar-tabelë që tregon nga bie Perëndimi. Këtë ka bërë Amerika. Kush nuk do PD-në e Bashës, nuk mund të krijojë parti anti-amerikane”, deklaroi Çupi për gazetën “SOT”.
Meta është në grahmat e fundit
Por në të njëjtën linjë me analistin Çupi, dje është rreshtuar edhe avokat Spartak Ngjela. Ky i fundit gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, theksoi se presidenti Meta është në grahmat e fundit dhe s’ka shanse të marrë drejtimin e opozitës. “Si mund të marrë presidenti frenat e opozitës? Duhet të keni parasysh që opozita është në Parlament. Sa deputetë ka Meta në Parlament?! Nuk përfaqësojnë asgjë. Ai tjetri ka 59 deputetë nga të cilët kanë ikur 3, por kjo nuk ka rëndësi.
Forca e opozitës është në Parlament, jashtë Parlamentit nuk ka më vlerë. Jashtë Parlamentit quhet opozitë popullore që mund të jenë edhe 100 veta, por nuk kanë asnjë lloj vlere nëse nuk do të jenë në Parlament. Presidenti po të jetë i rënduar nga kapaciteti mendor edhe mund të përpiqet për në krye të opozitës, por mendoj se është e kotë. Do të ishte një budallallëk”, deklaroi ai.
Të dy do jenë shumë shpejt para drejtësisë
Më tej avokat Spartak Ngjela akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta se janë të korruptuar, ndërsa shprehu bindjen se shumë shpejt kjo dyshe do të shkojnë para drejtësisë. “Meta aktualisht nuk është i qetë, është i tërhequr. Ka shpresën se mund të përmirësojë diçka me këtë qëndrim, por nuk ma ha mendja se mund të përmirësojë diçka pasi ka dalë i pozicionuar si antiamerikan dhe anti politikës perëndimore.
Dhe mbi të gjitha është i korruptuar, atëherë si mund të shpëtojë? Unë nuk shoh shpëtim për të dy si Metën dhe Berishën. I vetmi shpëtim për korrupsionin e lartë shtetëror në Tiranë është që të ndërrojë rrugë dhe të fitojë drejtësia. Se që do shkojnë të gjithë nëpër procese penale këta dhe në konfiskim të pasurisë, kjo është një gjë që nuk diskutohet. Sepse e gjithë pasuria e tyre ka qenë pasuri e marrë me anë të korrupsionit, ua kanë marrë shqiptarëve”, nënvizoi Ngjela për gazetën “SOT”.