Shumëkush mund ta mbajë mend atë burrë. Çdo ditë, ndizte makinën e tij të pazakontë dhe rendte drejt fshatrave te jugut për të çuar magjinë e filmit. Jorgo Ikonomi njihet si burri film, ishte shofer, teknik dhe projektues i pelikulave që çoheshin edhe në zonat më të thella.
Janë vitet 1980, kur një fotograf francez e fikson portretin e tij dhe autokinemanë. Është i vetmi imazh që sipas drejtoreshës së Arkivit të Filmit, Iris Elezi, e dokumenton këtë rit të kinemasë shëtitëse. 40 vite më pas, Michel Setboun çel ekspozitë në COD dhe rrëfen historinë e fotografisë.
“Kjo makinë shkonte kudo nëpër zonë për të shfaqur filma për njerëzit, edhe në fshatra të vegjël. Nuk e dija që kjo fotografi do të bëhej e famshme, sepse e gjithë kjo, është zhdukur. Nuk ekziston më. Kjo është kujtesa e Shqipërisë, kush e di këtë histori sot? Brezi i ri nuk e ka idenë. Ai është ende një burrë i sjellshëm, është i mirë dhe i qeshur. Ajo që dua nga Shqipëria është se edhe në atë kohë, njerëzit ishin të dashur”, – rrëfen Setboun.
Ndonëse autokinematë ishin mënyra si fjala e Partisë përmes filmit mbërrinte në malet e thella a kodrat e zhveshura nëpër skajet e vendit, kamionët me bobina e projektore, përçonin gjithsesi edhe art, ndërsa sot janë sa nostalgji po aq dëshmi.
“Jorgo Ikonomi është njohës i mire i filmit, makina pengu i tij. Kishte dashur ta blinte, kushtonte 700 mijë lekë të vjetra. Ai nuk kishte lek dhe makina e filmit përfundoi për hekurishte” thotë Elena Zhako.
Ekspozita e fotografit francez dëshmon ngjarje të rëndësishme të viteve 1980 dhe 1990 në vendin tone, si dëshmi te transformimit e kaosit.
Milena Selimi drejtuese e Cod thotë se “Imazhi i rrallë i Arben Bajos që mezi është identifikuar. Ai vetë ka njohur trikin që ia ka thurur gjyshja”, tregon për një foto të skulptorit Arben Bajo që u nda nga jeta pak muaj më parë.
Eleana Zhako sqaron edhe fotot e Shkodrës të viteve 1990.
“Fotografi në Shkodër në vr asjet e 2 prillit 1991, motrat e heronjve ende perloten”,thotë Zhako, bashkëkuratore.
“40 vjet histori në vendin e Shqiponjave” që rrok e dokumenton ngjarje e kohë, mund të vizitohet pranë Covidit në kryeministri deri me 31 janar. /BalkanWeb