Të vishje xhubletën, nuk ishte thjeshtë një rutinë e përditshme. Për këtë trashëgimi të rrallë, pranë ”TI Center” u realizua instalacioni “Riti i veshjes së xhubletës”, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe, me dy rripa të gjerë.
Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.
Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.
Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malësorët e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja.