Nga Ardit Rada
Kosova dhe Serbia kanë arritur sot një marrëveshje që pritet t’i japë fund krizës së prodhuar në Veri. Lajmin e dha i dërguri i BE, Mirosav Lajçak, ndërsa shpejt e përshëndeti edhe Uashingtoni përmes zyrtarit të lartë Gabriel Escobar. Tensioni pati dy anët e tij të interpretimit, por që në fund rrezikonte përshkallëzim aq sa lejon gjaknxehtësia e ballkanasve. Albin Kurti, i ardhur në krye të qeverisë me flamurin e sovranistit, vendosi në emër të reciprocitetit ndërrimin e targave për palën serbe që hynte në territorin e Kosovës.
Ndërsa Beogradi nga ana tjetër, e pa si provokim vendosjen e trupave ROSU në kufi duke u kundërpërgjigjur po ashtu me ushtri e barrikada.
Por Serbia nuk habiti aspak me sjelljen e saj, ku dihet se i kapërcen situatat herë duke u viktimizuar, e herë me kërcënime. Ajo që tregoi marrëveshja e sotme është se palët nuk bëjnë dot pa dialogun dhe perëndimin. Së pari nuk bën dot as vetë Kurti, që u konfliktua njëherë me Shtetet e Bashkuara aq sa i kushtoi pushtetin.
Apo pretendimet se ‘Kosova i di vetë punët e saj’ duke krijuar një hatërmbetje edhe me Edi Ramën e duke i treguar këtij të fundit kufirin pavarësisht se siç është thënë tradicionalisht, Shqipëria është mesuesja e Kosovës.
Gjithashtu edhe me ndërhyrjen e tij në zgjedhjet e Shqipërisë, duke eksportuar ‘markën’ e partisë së tij e duke e futur të garojë në 25 Prill, tentoi t’i hedhë benzinë sherrit që ndizej virtualisht apo në studio televizive.
E pra, pasi u tregoi aktorëve të çështjeve në Ballkan vendin, sot u faktua se nuk bën dot pa ta as kur vjen puna tek disa targa prej letre me ngjitëse mbrapa. Dhe ky duhet parë si një lajm i mirë ku qeveria e Kosovës kthehet tek aleatët tradicionalë pavarësisht retorikës për konsum të brendshëm me flamuj, kufij e vetëvendosje.
Marrëveshja që buroi nga dialogu dhe që do të heqë barrikadat në veri erdhi nga ndërhyrja e Lajçakut, SHBA-ve dhe ndoshta edhe të Tiranës zyrtare. Dhe jo nga retorika me vetëvendosje e Kosovës, apo kërcënimet me helikopterë të Serbisë.