Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka prezantuar katër pikat e draft marrëveshjes mes Kosovës të arritur sot në Bruksel për targat e automjeteve.
Bislimi, ka treguar se me palën serbe janë dakorduar për një draft marrëveshje, megjithatë mbetet të shihet nëse do të ketë pajtim final edhe nga Serbia meqë Beogradi nuk ka pranuar një prej paragrafëve të draft marrëveshjes. Mes të tjerash Bislimi, ka treguar se pika e tretë në këtë draft marrëveshje është për heqjen e barrikadave. Ai ka thënë se nëse Serbia e nënshkruan përfundimisht marrëveshjen, atëherë KFOR-i të shtunën do të vendoset në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërkohë Policia e Kosovës pas disa orëve do të nisi me fillimin e largimit të barrikadave.
Bislimi tha se më 2 tetor KFOR do të vendoset në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë më pas do të fillohet me heqjen e barrikadave.
“Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës”.
Ai ka treguar se të dy palët do të kenë tetë orë në dispozicion për t’u larguar nga aty.
“ Pika e tretë ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas kësaj marrëveshje, nëse Serbia e nënshkruan finalisht, të shtunën KFOR-i do të vendos trupat në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Pastaj pas disa orëve, Policia e Kosovës do të përcjell shtensionimin e situatës me fillimin e largimit të barrikadave. Për këtë do të kenë tetë orë, të dy palët”, ka thënë Besnik Bislimi,
Ai tutje theksoi se më 4 tetor në ora 8 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
“Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër”.
Numri dy i qeverisë shtoi se do të krijohet edhe një grup pune. Ai tha se ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.
“Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe”.
Besnik Bislimi tha se kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet nga ana e palës serbe.
“Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kemi një marrëveshje valide”.