Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj shprehet vendimi i kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar është “certifikim i një vendimi të marrë nga SHBA”, certifikim që sipas tij nuk është servilizëm.
Në një intervistë për Euronews Albania, Gjekmarkaj e konsideroi “fazë tjetër historike” atë që po përjeton aktualisht PD në raport me ish-kryetarin e saj, Berisha. Ai tha se PD do ta kalojë këtë situatë dhe pas saj do të jetë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve.
Gjekmarkaj vlerësoi figurën e Berishës për faktin se është themelues i PD-së, President dhe Kryeministër dhe për këtë fakt çështja ndaj tij bëhet “edhe më dramatike dhe më e dhimbshme”. Sidoqoftë ai theksoi se në raport me SHBA, PD duhet të mbante pozicion “pro” saj.
“Jemi në një fazë historike tjetër, jemi përballë një vendimi që PD e ka certifikuar, por që nuk e ka marrë ajo, e ka marrë SHBA, nuk është servilizëm, nuk është ulje e shtyllës kurrizore fakti që ne bashkojmë vendimet me SHBA, pasi ata janë aleati kryesor i shtetit shqiptar,” – u shpreh Gjekmarkaj duke kujtuar ndikimin në histori të amerikanëve në çështjet e shqiptarëve.