Historia e dy fëmijëve të mitur shqiptarë që u rrëmbyen nga babai i tyre, bëri bujë të madhe në mediat gjermane dhe ato spanjolle. Madje kjo histori duket se preku edhe partneren e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez.
Në atë kohë, Rodriguez reagoi përmes një postimi në “Instastory”, ku publikonte një lajm që fliste për dy fëmijët dhe kërkonte ndihmën e të gjithëve që ta shpërndanin sa më shumë lajmin.
Kjo histori është rikujtuar në emisionin “Shqipëria Live”, ku në një lidhje “Skype” ishte nëna e fëmijëve, Enkelejda Sulaj.
Kjo e fundit ka treguar gjithë vargun e vuajtjeve që përjetoi për tetë muajt që nuk dinte asgjë për fëmijët e saj.
Enkelejda Sulaj ka treguar se duhej të shkonte në Shqipëri për të rinovuar pasaportën dhe fëmijët qëndruan me të atin, por kur është kthyer në Gjermani nuk i ka gjetur.
Pas shumë kërkimesh ndërkombëtare, Amantia dhe Kristiani bashkë me babanë e tyre janë gjetur më 24 gusht në ishullin Tenerife.
Ajo u shpreh se autoritetet gjermane dhe ato spanjolle kanë qenë shumë të ngadalta për gjetjen e fëmijëve të saj. Sipas saj, rol kryesor ka luajtur media.
“Autoritetet kanë qenë shumë të ngadalta. Mediat luajtën një rol kryesor që unë të merrja fëmijët”, tha nëna e dy fëmijëve, e cila shprehet se është shumë e lumtur që tani ata janë pranë saj.
Ndërsa kur i kujtuan se edhe partnerja e futbollistit të famshëm ka ndarë me miliona ndjekësit e saj në “Instagram” lajmin për rrëmbimin e fëmijëve, Enkelejda tha: “Nuk kam asnjë kontakt me të. E falënderoj”.