Nuk është shkruar gabim me të vogël por është shkruar qëllimisht. Reagimi që shkaktoi largimi i Saliut nga grupi parlamentar i PD-së brenda kësaj partie, është njëlloj me atë reagimin që ka një individ kur i prekin sedrën duke i prekur egon për arsye karakteristikash psikosomatike dhe fiziologjike.
Mendoje pak, ore u kanë prekur Berishën, thua ditën e parë. Dhe ditën e parë reagimi të duket edhe pse i tepruar, gjithsesi i pranueshëm. Nuk është pak që të të sikterisin e të nxjerrin prej zhelesh nga shtëpia babain, atin shpirtëror.
Është pak a shumë si reagimi i fansave të Duçes, kur këmbët i lëkundeshin në sheshin Loreto, apo reagimi i fansave të komunizimit kur binte në shesh statuja e Enver Hoxhës, apo i fansave të Britney Spearsit kur e panë tullace për herë të parë.
Njerëzit ulërasin, bërtasin, jo po si, jo po qysh. Ti i sheh dhe i mëshiron me mëshirë të çiltërt prej katoliku besimtar.
Ditën e dytë dhe të tretë fillon të kuptosh që ka diçka më shumë se kaq. Dhimbja vjen prej më thellë, e jo në sensin metaforik por në sensin më fizik të fjalës. Më në fund kupton! Ore këtyre nuk u kanë prekur Berishën por berishën.
Është njësoj ti t’u kenë futur një shkelm aty në mes të trupit, ku gjendet bariqendra fiziologjike e qënies, aty ku dhimbja është e pakufijtë e të lë pa frymë. Sepse kulti i këtij Platoni të rrjedhur në këtë derexhe ka përfunduar. Në derexhenë e një besim banal, e një identiteti primordial, i cili i shpëton çdo rregulli dhe çdo arsyeje, duke u shndërruar në një fakt fiziologjik, nga ata që kur ta prekin zëre se të kanë prekur egon e vogël. Atë egon që e mat identitetin me vizure dhe fuqinë e tij me milimetra. Atë egon prej fëmije që mburret me forcën e çunit të xhajës, apo me “superego” e vëllait të madh.
Është patetike sesi një force politike të një rëndësie të veçantë, siç është dhe PD, ti kërkohet të vetëflijohet në altarin e egove të vogla, nga ato ego që mund të shkruhen veç me shkronja të vogla. Sepse kjo betejë, si përçapjet e një të mbyturi që nuk është në gjëndje të shpëtojë veten, sepse në panik e sipër i mbyturi nuk shpëton por mbyt e merr me vete dhe ata që ka pranë, është betejë që do të hyjë në histori e historive mediokre, nga ato që mund të rrëfehen mejhanesh apo lokalesh, duke e shtyrë nga gllënjka në gllënjkë, pa asnjë ndjesi të kohës që ikën e më nuk vjen.
Kështu pra, kur të prekin berishën është dhimbje e madhe, sepse e kupton që kjo histori nuk mund të shkruhet më me shkronja të mëdha, sepse më në fund duket ashiqare që as ka qenë e as nuk do të jetë ndonjëherë një histori për t’u treguar me krenari./Ekskluzive.al