Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë iniciativash që do të ndërmarrë qeveria e re në këtë mandat të tretë.
Rama paralajmëroi kryebashkiakët e vendit, që të kujdesen për territorin e bashkive të tyre, pasi në të kundërt nuk do të përfitojnë asnjë grant nga qeveria.
Mes të tjerash Rama tha se duke nisur nga 1 qershori i vitit që vjen, do të hiqen nga qarkullimi qeset plastike.
“Në qeshor të vitit të ardhshëm do të ndalohet përdorimi i qesve plastike. Industria që prodhon qese plastike, mesazhi im është mos kërkoni asnjë lëshim. Keni 9 muaj kohë. 1 qershori i vitit të ardhshëm do ta gjejë Shqipërinë pa qese plastike…
Shumica e re qeverisëse do të vendosë një parim të panegociueshëm në shpërndarjen e fondeve për bashkitë: Në fillim pastërtia dhe pastaj gjërat e tjera. Rritja e konsumit dhe turizmit nuk mund të shoqërohet me rritjen e papastërtive.
Ose thënë shqip, rritja e sasisë së plehrave. Bashkitë që nuk pastrojnë plehrat nuk do të fitojnë asnjë lloj granti të pakushtëzuar nga Buxheti i Shtetit. Pastërtia do të kthehet në kryefjalën e çdo qeverie lokale”, tha Rama.