Vedat Muriqi e ka kthyer mbrëmjen e sotme nga një natë trishtimi në një festë për të gjithë shqiptarët. “Pirati“ i Lacios kthehet në hero në “Fadil Vokrri”, ku shpëton Kosovën nga humbja përballë Greqisë.
Goli në minutat e fundit të takimit shijon si një fitore për dardanët, që në fund dalin me një barazim 1-1 nga fusha e lojës.
Ndërkohë grekët ishin ata që gjetën rrugën e rrjetës të parët. Ishte Duvikas ai që kaloi helenët në epërsi, duke shënuar golin e tij të parë me Kombëtaren e Greqisë që në debutimin me fanellën e tyre.