Më 11 shtator 2001, 19 militantë, pjesë e grupit ekstremist islamik, Al Qaeda, rrëmbyen 4 avionë dhe ndërmorën sulme, të mirë organizuara, në zemër të Amerikës. 2 avionë, njëri pas tjetrit, kishin objektiv “World Trade Center” në Nju-Jork, një avion i tretë goditi Pentagonin dhe një i katërt ra në një fushë, pa e arritur objektivin, në Shanksville, Pensilvani. Thuajse 3 mijë vetë humbën jetën në një ditë të vetme nga sulmet terroristë, sulme të cilat nxitën Shtetet e Bashkuara të nisin një luftë të ashpër kundër terrorizmit dhe terroristëve, nën presidencën e presidentit të kohës, George W.Bush.
Por çfarë ndodhi në më pak se 2 orë, në ditën që asnjë amerikan nuk do ta harrojë kurrë: 11 shtator 2001.
Ishte ora 8:45 e mëngjesit, kur avioni Boing 767, i “American Airlines”, me 75 mijë litra naftë në bord, u përplas papritur mbi Kullën Veriore të Qendrës Tregtare Botërore në Nju-Jork.
Impakti ishte i frikshëm. i gjithë kati i 80-të, aty ku avioni goditi, mori flakë, duke bllokuar çdo mundësi lëvizje nga kati i 80 deri në katin e 110-të. Ishte qartazi një sulm apo një avion humbi drejtimin dhe ra mbi kullë?
Në atë moment askush nuk e mendonte këtë gjë.
Kushdo mendonte për t’u arratisur e për t’i shpëtuar flakëve të zjarrit që përparoi brenda pak minutave, duke mos e menduar për asnjë çast idenë se kulla mund të rrëzohej për shkak të dëmtimit që kish marrë në mes të strukturës së saj. Fundja ishin ndër godinat më të sigurta të Nju-Jorkut dhe jo vetëm. Qindra vetë humbën jetën Brenda pak minutave, dhjetëra prej tyre nga përplasja e qindra të tjerë, të ngecur mes kateve të sipërme të kullës veriore.
Teksa kishte nisur evakuimi i punonjësve të kullës së goditur dhe binjakes së saj, kamerat e televizioneve nisën të transmetojnë pamjet e asaj çka fillimisht u besua të ishte një aksident fatal dhe i frikshëm.
E paimagjinueshmja erdhi 18 minuta më vonë, kur një avion i dytë, Boing 767, i “United Airlines”, u shfaq krejt papritur në qiell, merr kthesën krejt normalisht dhe godet në zemër Kullën e Jugut, në katin e 60-të.
Shpërthimi ishte i frikshëm dhe masiv, aq sa dëmet materiale ishin të jashtëzakonshme, në dhjetëra e qindra km larg. Tymi mbuloi rrugët e godinat qark Nju-Jorkut. Mijëra vetë, që deri në ato momente ndiqnin skenat kaotike, u larguan me vrap, për t’i shpëtuar rrënojave, sërish pa e menduar për asnjë moment kolapsin e kullave të famshme binjake.
Tashmë ishte e qartë: Amerika ishte nën sulm.
Po bëhej e qartë: terroristët po pushtonin Amerikën. Kishin goditur zemrën e saj, Nju-Jorkun, qendrën tregtare botërore. Askush nuk mendonte për pasojat apo për jetët që ishin prerë në mes atë mëngjes shtatori. Data, 11, ishte krejt rastësi. Ishte dita me kushtet e duhura atmosferike, që avionët të godisnin lehtësisht dhe pa pengesë, objektivat e përcaktuar.
Me miliona amerikanë dhe qytetarë të të gjithë botës ishin përfshirë tek ajo çka po ndodhte në Nju-Jork, me një qetësi të frikshme e mijëra pikëpyetje në kokën e gjithsecilit, ndodhi ajo që nuk pritej. Në orën 9:37 një avion i tretë, “American Airlines 77”, i ngritur në fluturim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dulles, ishte rrëmbyer mbi Ohaio dhe u përplas në krahun perëndimor të Pentagonit në kontenë e Arlington në Virxhinia. Kjo anë e godinës, ku ndodhen edhe zyrat qendrore të Ushtrisë Amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes, u shemb pjesërisht.
125 vetë, personel ushtarak brenda në godinë dhe civilë u vranë nga sulmi në Pentagon. Bashkë me ta, humbën jetën edhe 64 vetë, në bordin e avionit që u përplas mbi godinë.
Sulmi i katërt dhe ai final, i avionit “United Airlines” me fluturim 93, iu drejtua Uashingtonit. Ai ishte i vetmi avion që nuk arriti objektivin final dhe u përplas në Shanksville, Pensilvani në orën 10:03. Pasagjerët e avionit tentuan të rimarrin kontrollin nga atentatorët dhe arritën vetëm të shmangin përplasjen me atë që ishte pikësynimi i terroristëve. Hetuesit, ende vite më vonë, thonë se objektiv i fluturimit 93, ishte ose Shtëpia e Bardhë ose Godina e Kapitolit.
Ajo çka do të shihej më vonë do të ishte e paimagjinueshme. Në më pak se 15 minuta, pas sulmit terrorist në qendrën nervore të ushtrisë amerikane, horrori në Nju-Jork do të merrte një kthesë katastrofike, kur kulla e Jugut u shemb Brenda pak sekondave, duke e mbuluar Nju-Jorkun nga tymi dhe pluhuri.
Ishin pamje apokaliptike ato të xhiruara nga helikopterët, si e vetmja mundësi e televizioneve, për ti ofruar Amerikës dhe mbarë botës, pamje të asaj çka po ndodhte në zemër të Nju-Jorkut. Kulla e jugut po shembej dhe në këmbë, për çudi, qëndronte kulla e veriut, e para e goditur në mëngjes herët, në katin e 80. Për habi, ajo qëndronte në këmbë.
Kulla e Jugut, e goditur në 9:03 minuta, nuk rezistoi as një orë, me strukturën e saj të hekurt në flakë, që përhapeshin me shpejtësi ndihmuar edhe nga era në katet e larta. Godina nuk arriti të qëndrojë më në këmbë dhe në orën 9:59 minuta, u shemb.
Të njëjtin fat pati edhe binjakja e saj veriore. Në orën 10:30, edhe pse rezistoi për 1 orë e 42 minuta, nuk e duroi dot më nxehtësinë. Edhe ajo u shemb. Vetëm 6 vetë që ishin në Kullat Binjake, në momentin e shembjes së tyre, arritën të mbijetojnë. Thuajse 10 mijë të tjerë u lënduan, shumë prej tyre rëndë, me pasoja të frikshme fizike e mendore.
Në ato momente, askush nuk mendonte për pasojat. Tashmë ekzistonte kudo frika e një sulmi tjetër, për avionin e radhës, që nuk dihej ku do të përplasej. Kudo, kryesisht godinat e famshme financiare, bursa e Nju-Jorkut apo qendrat e tjera të larta, u braktisën. Njujorkezët nxituan të largohen me vrap, ku të mundnin, pa një adresë. Të gjithë me telefona në dorë, për të pyetur për të afërmit.
Me qindra ishin edhe ata qytetarë që nuk u larguan pa dhënë ndihmën e tyre, bashkë me mijëra forca zjarrfikëse apo efektive të policisë e ushtrisë.
U deshën orë të tëra për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Çdokush që jepte ndihmën e tij, punonte dhe vepronte mekanikisht. Zemra dhe mendimet kishin mbetur tek ajo çka ndodhi mëngjesin e atij 11 shtatori.
2983 vetë humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit, mes tyre 2192 civilë, 343 zjarrfikës dhe 71 efektivë policie. Po ashtu mes viktimave llogariten edhe pasagjerët e 4 avionëve të rrëmbyer dhe 19 terroristët, që kishin marrë përsipër sulmet vetëvrasëse.
Viktimat ishin qytetarë nga e gjithë bota, nga 78 shtete të ndryshme por fatin e patën të njëjtë. Ata humbën jetën nga sulmet terroriste në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani.
Gjithçka dihej në orët e para fill pas sulmeve, ishte ajo që transmetohej në ekranet e televizioneve. Nuk kishte ende asnjë reagim zyrtar. E më shumë se fjalët, ishin pamjet ato që flisnin qartë.
Në orën 19 të mbrëmjes, Presidenti George W.Bush, që kish qenë në Florida në kohën e sulmeve dhe kish kaluar të gjithë ditën duke udhëtuar qark vendit për shkak të problemeve me sigurinë, u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Ai duhej të fliste për gjithçka kish ndodhur e duhej të fliste po ashtu për mënyrën sesi Amerika do ti përgjigjej këtyre sulmeve terroriste.
Në orën 21, ai doli përpara amerikanëve dhe mbarë botës, në një adresim nga Zyra Ovale. “Sot përjetuam një tragjedi kombëtare. Dy avionë u përplasën në Qendrën Tregtare Botërore, në atë çka besohet të jetë një sulm terrorist ndaj vendit tonë. Kam folur me zv.presidentin, me guvernatorin e Nju-Jorkut, me drejtorin e FBI-së dhe kam urdhëruar që të gjitha burimet tona të qeverive federale, të dalin e të japin ndihmën e tyre, për viktimat dhe familjet e tyre dhe të nisin menjëherë një hetim të plotë për të gjurmuar dhe kapur ata që e kryen këtë akt. Nuk do të lejojmë terrorizëm ndaj vendit tonë. Dhe tani do doja që të më bashkoheshit në një minutë heshtje. Zoti i bekoftë viktimat, familjet e tyre dhe Amerikën”, tha ai para kamerave.
“Vetë liria u sulmua sot në mëngjes nga një frikacak i pafytyrë. Por liria do të mbrohet. Dua të siguroj çdo qytetar amerikan se burimet e qeverive federale po punojnë për të asistuar autoritetet lokale, për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe për të gjetur nën rrënoja, trupat e viktimave të këtyre sulmeve. Nuk duhet të bëni gabime. Shtetet e Bashkuara do t’ju gjejnë dhe do t’ju ndëshkojnë për këto akte frikacake e të pabesa. Jam në kontakt të vazhdueshëm me zv.presidentin, sekretarin e mbrojtjes, ekipin e sigurisë kombëtare dhe kabinetin tim. Do të marr çdo masë për sigurinë kombëtare, për të mbrojtur popullin amerikan. Ushtria jonë, këtu në shtëpi dhe qark botës është në gatishmëri të larët dhe paraprakisht kemi marrë çdo masë sigurie, që qeveria të vijojë punën pa ndalim. Jemi në kontakt edhe me liderët e Kongresit dhe liderët botërorë për t’ju siguruar gjithçka të nevojshme për të mbrojtur Amerikën dhe amerikanët. i kërkoj qytetarëve amerikanë që të bashkohen me mua në një falënderim për ata që luftuan pa pushim këto orë për të shpëtuar qytetarët dhe të bashkohen me mua në një lutje për viktimat dhe familjet e tyre. Vendosmëria e kombit tonë të madh po testohet. Por mos bëni gabime, ne do t’i tregojmë botës se do ta kalojmë këtë provë. Zoti ju bekoftë”.
Gjuetia ndaj Bin Laden
Osama bin Laden dhe Al Qaeda morën përsipër përgjegjësinë për sulmet ndaj Amerikës dhe ajo çka pasoi ishte një luftë e gjatë, thuajse 20-vjeçare e SHBA në Afganistan. Askush nuk mund t’ia falte askujt 3000 jetët e humbura më 11 shtator.
Operacioni i lirisë, drejtuar nga SHBA dhe mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë kundër regjimit taleban në Afganistan, me qëllim kryesor shkatërrimin e rrjetit terrorist të Osama Bin Laden, nisi më 7 tetor të po atij viti. Brenda 2 muajve, forcat amerikane i rrëzuan talebanët nga pushtetit por lufta vazhdoi gjatë, me forcat amerikane dhe ato të koalicionit, që vazhduan fushatën e tyre për 2 dekada, deri në çrrënjosjen e terrorizmit. Osama bin Laden, truri dhe ideatori i sulmeve të 11 Shtatorit, qëndroi për 10 vjet në arrati, deri më 2 maj 2011, kur u gjurmua dhe u vra nga forcat amerikane, teksa fshihej në Abotabad, Pakistan. Në qershor 2011, presidenti i asaj kohe Barack Obama njoftoi tërheqjen e mijëra trupave ushtarake nga Afganistani dhe siguroi në atë kohë, se deri në gusht 2021, ushtria e SHBA do të largohej përfundimisht prej andej.
Pasojat ekonomike të sulmeve të 11 Shtatorit
Përveç dhimbjes njerëzore dhe plagëve që 11 shtatori la pas, në familjen e çdo amerikani, sulmet dhanë impakt të jashtëzakonshëm edhe në ekonomi. Institucionet kryesore financiare të Wall Street, përfshirë bursën e Nju-Jorkut u evakuuan që në momentin e sulmit. Pas rihapjes, ditë më vonë, humbjet ishin të mëdha. Ekonomia e Nju Jorkut vetëm humbi 143 mijë vende pune, që përkthehen në paga në shumën 2.8 miliardë dollar. Humbjet më të mëdha i përjetuan sektori i financës dhe transportit, me thuajse 60% te vendeve të punës, të humbura. Ndërsa dëmi për ekonominë amerikane, me shembjen e Kullave Binjake, u përllogarit në 60 miliardë dollarë.
Pas dy ditëve të rënda për Amerikën, amerikanët dhe mbarë botën, ku çdokush po mundohej të mësohej me atë që kish ndodhur e me frikën e një sulmi tjetër, nisi të pastrohej vendi ku tashmë gjendeshin rrënojat e dy kullave nga 110 metra të larta, shtëpi e qindra kompanive të mëdha dhe e mijëra punonjësve.
Operacionet e kërkimit nën rrënoja për njerëz të mbijetuar vazhduan për ditë me radhë por nga dita në ditë, shpresat për të gjetur njerëz ende gjallë e me frymë, shuheshin në dëshpërim. Vetë operacioni i pastrimit në atë që më vonë mori emrin “Ground Zero” kushtoi 750 milionë amerikanë.
Më 18 dhjetor 2001, 3 muaj pas sulmeve terroriste, Kongresi amerikan aprovoi emrin për këtë ditë, duke e emëruar zyrtarisht datën 11 shtator si “Ditën e Patriotëve” në nder të atyre që humbën jetën në ato sulme. Në 2009, Kongresi e quajti këtë ditë edhe si “Ditën Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit”.
Sot, në vendin ku dikur ngriheshin shtatlartë, në 110 kate secila, dy kullat binjake, qëndron memoriali dedikuar viktimave të 11 shtatorit. Dizenjuar nga Michael Arad, “Reflektimi i Mungesës” qëndron jashtë muzeut, në parkun 8 hektarë. Memoriali përbëhet nga dy pishina reflektuese me ujëvara që rrjedhin poshtë, pikërisht në vendin ku dy kullat ngriheshin drejt qiellit.
Aty janë gdhendur emrat e 2983 viktimave në 152 panele bronzi që rrethojnë pishinat. Memoriali u inaugurua në përvjetorin e 10-të të sulmeve. Më pas u inaugurua edhe memoriali dhe muzeu i 11 shtatorit dhe në fund Kulla e Lirisë, në 2014.
Pamjet e sulmit mbi kullat binjake dhe shembjes së tyre, duke zënë nën rrënoja mijëra vetë, kanë bërë gjatë 2 dekadave xhiron e botës. Shumë amerikanë e kujtojnë me dëshpërim atë ditë, që solli trishtim frikë e panik jo vetëm në Nju-Jork. Të tjerë kanë qenë të vegjël por përsëri e dinë atë çka ndodhi më 11 shtator.
Dhe sot, me tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani dhe me situatën e tensionuar atje, ku pushtetin përsëri në dorë e kanë talebanët, historia duket sikur përsëritet dhe frika për një sulm tjetër bëhet më e fortë. Njujorkezët e quajnë këtë situatë si absurd, të çmendur.
Edhe 20 vite pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, me qindra dokumentarë, kronika lajmesh apo edhe prodhime kinematografike të dedikuara asaj dite, ka ende shumë për të thënë e shumë histori për t’u treguar.
11 Shtatori ishte dita që ndryshoi Amerikën