Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur dritë mbi ndihmën financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket reformave në Shqipëri. Me anë të një raporti DASH deklaron se po ndihmon vendin tonë të mbrojë veten nga ekonomia malinje dhe nga ndikimi i huaj.
Sipas amerikanëve, Shqipëria po mbështetet që të mos preket nga ndikimi rus dhe kinez. “SHBA ka rritur ndihmën për të forcuar institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile, me qëllim avancimin drejt integrimit europian dhe luftimin e ndikimit malinj të Rusisë, Kinës dhe konkurrentëve tanë strategjikë.
Asistenca e ofruar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) ka mbështetur gjyqësorin dhe ngritjen institucioneve të reja me qëllim çrrënosjen korrupsionit dhe luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
Për më tepër, Zyra e Koordinimit të Mbrojtjes të Ambasadës Amerikane ka ndihmuar Forcat e Armatosura Shqiptare për të forcuar mbrojtjen kibernetike të aleatit tonë në NATO”, thuhet në raportin e DASH mbi ndihmën që ka dhënë për Shqipërinë gjatë vitit që lamë pas dhe periudhën aktuale.
Ngritja e SPAK dhe e BKH
Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe e Prokurorisë së Posaçme janë prioritete kryesore të SHBA. Në raportin e DASH bëhet me dije se falë tyre do të goditen të korruptuarit. “Me ndihmën e OPDAT dhe ICITAP, SPAK po lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë në Shqipëri, duke ndihmuar në ndryshimin e kulturës së pandëshkueshmërisë.
SPAK përbëhet nga një Prokurori Speciale, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe një gjykatë e specializuar. Shtetet e Bashkuara dhe BE mbështetën një ligj verifikimi në 2016 që ndihmoi në rivendosjen e integritetit të sistemit gjyqësor shqiptar”, thuhet në raportin e DASH.
Ndihma e dhënë në Gjykatën e Lartë
Ndërkohë në raport flitet edhe për procesin e Vettingut ku thuhet se është një përpjekje e mirë për të paraprirë reformën gjyqësore dhe për të promovuar sundimin e ligjit. Po ashtu DASH shprehet se përmes projektit “Drejtësia për të Gjithë”, ka dhënë ndihmën e tij për të menaxhuar dhe zvogëluar regjistrin çështjeve të Gjykatës së Lartë. Sipas DASH ka patur rezultate duke sjellë një proces gjyqësor më në kohë dhe më transparent për qytetarët. “Përmes projektit “Drejtësia për të Gjithë”,
USAID ka ndihmuar Gjykatën e Lartë të Shqipërisë për të menaxhuar dhe zvogëluar regjistrin e saj të çështjeve. Me ndihmën e USAID, Gjykata zhvilloi procedura për të prezantuar çështjet e ardhshme të regjistruara caktoni përparësi dhe renditni 72 përqind të 35,000 rasteve të paraqitura aktualisht në Gjykatë, duke rezultuar në rritjen e qasjes në drejtësi përmes një procesi gjyqësor më në kohë dhe transparent për qytetarët”, thuhet në raport.