Xhuzepe Masani ishte një fotograf italian.
Megjithëse nuk ka të dhëna të sigurta për të, duket se ka lindur në Rimini në vitin 1901 dhe ka studiuar ne Universitetin e Bolonjës duke filluar në vitin 1920.
Masani u bë ithtar i flakët i lëvizjes fashiste dhe doli në pah me një album fotografik për Musolinin dhe fashizmin: La sua terra [Toka e tij], Bergamo 1936.
Pas kësaj, botoi një sërë albumesh për rajonet e Italisë: Sicilia në vitin 1938 dhe Liguria në vitin 1939.
Në prill 1939, Shqipëria u pushtua dhe iu aneksua perandorisë së re të Musolinit.
Ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian trevat e reja të Italisë përtej Adriatikut. Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Masani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë ‘italiane’ dhe bëri fotografi të mrekullueshme.
Fotot u botuan në vëllimin Albania: testo e foto di Giuseppe Massani [Shqipëria: teksti dhe fotot nga Xhuzepe Masani], Romë 1940, me një kapitull të fundit të propagandës fashiste ‘Bashkimi Italoshqiptar.’