Nga Mero Baze
Jo çdo e keqe vjen për keq. Kjo fatkeqësia e afganëve që po detyrohen të shpërndahen shtet më shtet, edhe pse vet nuk mbërrijnë dot deri në aeroport, i ka dhënë një ndihmë opozitarëve në Shqipëri. Shumë nga ata që ende nuk e pranojnë se kanë humbur as më 2017, as më 2019, as më 2021, tani kanë gjetur një shpjegim për humbjen e tyre, duke e lidhur me afganët.
Nëse lexoni komentet e politikanëve “ideologë” të opozitës, apo blogjet e tyre, do të kuptoni se “afganët”po përdoren për të shpjeguar gjithë fatkeqësitë e tyre. Dhe mbi të gjitha, fatkeqësinë e fundit, atë të futjes së familjes Berisha në “Listën e zezë” të SHBA.
I gjithë konspiracioni i ri i ndërtuar nga opozita lidhet me këtë lëvizje. Mungesa e mbështetjes amerikane për bojkotin e Parlamentit dhe bojkotin e zgjedhjeve lidhet me afganët që erdhën.
D.m.th sipas tyre, “amerikanët e kanë ditur që do të tërhiqen më 2021 dhe paskan bërë plan që të mbështesin Ramën që t’u pranojë afganët. Po kështu dhe më 2021”.
Por më e besueshme për autorët konspiracionistë të opozitës, është fakti që Rama ka negociuar marrjen e afganëve me futjen e Berishëve në “Listën e zezë”. Tani dhe vonesa e ardhjes së afganëve po lidhet me “negocimin që të futet dhe Meta në këtë listë.”
E di që është shumë joserioze ta marrësh seriozisht gjithë këtë dhe aq më shumë të shkruash për këtë, por e vërteta është se opozita është bërë aq joserioze, sa nëse shkruan për të, je i detyruar të përshkruash se çfarë mendon ajo.
Ajo sot e gjithë ditën mendon pikërisht këtë. Ajo ende nuk ka një qëndrim vetëkritik për veten, ende nuk e kupton se SHBA nuk është një mbështetëse e Shqipërisë, që blihet me afganë, dhe aq më tepër që nuk e kuptojnë se shpikja e armiqve të jashtëm për humbjet e tyre do t’i lërë gjithë jetën në opozitë, pasi nuk vlerësojnë realisht “armikun” e brendshëm.
Po të ishte kaq e thjeshtë, Berisha që pranoi iranianët më 2012, do ta kishte të sigurtë mandatin më 2013 dhe Rama nuk do të vinte kurrë në pushtet.
Por kur shikoj se dhe media e të birit të tij është e mbushur me këto komente, më shkon mendja që dhe ai mund ta ketë besuar vërtetë këtë përrallë më 2012, ndaj dhe humbi me 1 milion vota.