Shkrimtarja e njohur, Flutura Açka, po përballet me një tragjedi të madhe në jetën e saj. Shkrimtarja ka humbur djalin e saj të vetëm, në moshën 18-vjeçare, pasi ai vuante nga një sëmundje shumë e rrallë.
Lajmin e hidhur e ka dhënë vetë shkrimtarja Açka, e cila përlot me fjalët në ‘Facebook’. Ajo shkruan se nuk do të mësohet kurrë me mungesën e të birit, ndërsa shton se nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranojë humbjen e qenies më të dashur që kishte.
Miqtë e mi, Mbrëmë, në një orë të vonë të natës, u nda nga jeta Biri im i vetëm, Jerin van den Brink, në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, nga e cila vuajti kohët e fundit. Nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranoj humbjen e qenies më të dashur që pata, dhe kam, mbi këtë dhé. Me drojën se nuk do të mësohem kurrë me mungesën e tij, uroj të dëgjoj vetëm lajme të mira prej jush. Sipas dëshirës së Jerinit, ceremonia e lamtumirës do të mbahet me një rreth të ngushtë familjar e shoqëror në Utrecht të Holandës, ku im Bir jetonte prej disa vitesh, pas një fëmijërie të gjatë në Shqipëri. Për miqtë e mi në Shqipëri, do të jem në Atdhe përgjatë muajit qershor.
(Postimi dhe djali i shkrimtares Flutura Açka)