Kontrolli ne banese ka nxjerre zbuluar nje te ri nga Roskoveci, pasi policia i dokumentoi vjedhjen e kryer ne nje kantier ndertimi. Policia e Fierit ben me dije se ka arrestuar shtetasin Marjus Zoga, 28 vjeç, banues në Roskovec. Nga kontrolli i ushtruar në banesë, policia i gjen armë zjarri dhe municion luftarak.
Njoftimi i policise
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin: -Marjus Zoga, 28 vjeç, banues në Roskovec. Në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Jagodinë” Roskovec, në kantierën Nr.185, nga rojet e një Shoqërie Private të Sigurimit Fizik, është konstatuar vjedhja e një saldatriçe, 2 bombula gazi dhe një sasie nafte.
Nga hetimet e kryera, rezulton se shtetasi Marjus Zoga është autori i dyshuar i kësaj vjedhje. Në lidhje me këtë ngjarje, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56, një krëhër automatiku me 17 copë fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 134 dhe 278 të Kodit Penal.