Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Florida Beun.
Beu doli në përgjimet e prokurorisë duke deklaruar se i kishte dhënë rryshfet ish-zv Ministres së Brendshme Rovena Voda, për ta punësuar në këtë ministri.
Ajo akuzohet për “Ushtrim të ndikimit të pa ligjshëm” të funksionarëve publikë dhe sipas përgjimeve dyshohet t’i ketë dhënë Vodës 1 mijë euro, një arkë me peshk, dhe një telefon të shtrenjtë, markën e të cilit ia specifikoi vetë Voda.
Pak ditë më parë Apeli i GJKKO nuk e pranoi kërkesën e Vodës për lehtësimin e masës, duke vendosur të qëndrojë në “arrest shtëpie”.
Kush është Florida Beu
Florida Beu, është një avokate dhe biznesmene në Durrës, e cila prej vitit 4 korrik 2019 menaxhon së bashku me vëllain e saj, Emirjan Beun, një kompani peshkimi të quajtur “Adriatic Sea Transport”.
Në një artikull thuhet se Beu është bërë aksionere në kompani pas largimit të nënës së saj, duke shpjeguar kështu edhe arkat me peshk që i kishin dërguar në shtëpi, asokohë zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda.
Këtë vit, në 9 qershor 2021, Florida Beu, është bërë pronare me 50 përqind të aksioneve tek kompania “AuraFish” në Durrës pasi bleu aksionet tek biznesmeni nga Elbasani, Emiljan Leka. Të gjithë vetëm për 250 mijë lekë të vjetra.
Florida Beu rezulton të jetë pronare dhe e një karburanti në qytetin e Durrësit, i cili quhet “Beu-Oil” dhe ka depozitat e naftës, brenda autoritet portual të Durrësit.
Florida Beu është në këtë kompani në cilësinë e administratores dhe pronares me 50 për qind të aksioneve. Ndërsa pjesën tjetër të aksioneve e menaxhon, i afërmi i saj, Klaudio Beu.
Kjo kompani është hapur në 7 gusht 2020 në qytetin e Durrësit, ndërsa paralelisht ajo punonte edhe si avokate në Durrës.
Por edhe pse kërkonte punë në shtet, ajo rezulton pronare edhe një pikë tjetër karburantinë Rrashbull të Durrësit, i regjistruar me emrin “Harizi Petrol” dhe zotërohet plotësisht me 100 për qind të aksioneve nga vajza 30-vjeçare Florida Beu.