Në suplementin javor “il venerdi”, revista prestigjoze “La Repubblica” i ka kushtuar një shkrim kryeministrit Edi Rama. Në shkrim analizohet karriera politike e kryeministrit Rama.
Ringritja në këmbë e Tiranës dhe transformimi i saj kur ishte kryetar Bashkie për të ardhur më pas te Rama kryeministër i cili kërkon të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve, që është aderimi në Bashkimin Europian janë disa nga çështjet që trajtohen në artikull.
“Si kryetar bashkie Edi Rama e ringriti në këmbë Tiranën. Ndërsa si kryeministër dëshiron ta çojë vendin ne BE. Është piktor dhe tani edhe shkrimtar”, thuhet në shkrim.
Sa i përket aspiratës europiane të shqiptarëve prestigjozja “La repubblica” shkruan: Shqipëria do të mund të çelë negociatat e shumëpritura për anëtarësim. Kjo sepse Komisioni i Brukselit sapo ka ndezur dritën jeshile në sektorë kyçë siç janë reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi i ekonomisë së tregut.
Shkrimi i plotë:
SHQIPTARË, TË ZBARKOJMË NË EUROPË / Nga: Raffaele Oriani
Si kryetar bashkie Edi Rama e ringriti në këmbë Tiranën. Ndërsa si kryeministër dëshiron ta çojë vendin ne BE. Është piktor dhe tani edhe shkrimtar. Por a është e vërtetë që pushteti e ka korruptuar atë? Shkuam dhe e pyetëm.
Në këshillin europian që do të mbahet më 28 qershor, liderët e BE-së do të thirren të vendosin nëse Shqipëria do të mund të çelë negociatat e shumëpritura për anëtarësim. Kjo sepse Komisioni i Brukselit sapo ka ndezur dritën jeshile në sektorë kyçë siç janë reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi i ekonomisë së tregut. Për Shqipërinë ky është një lajm i mirë, por për shqiptarët nuk është i vetmi: një talent i ri shqiptar i muzikës, Ermal Meta, fitoi para pak kohësh festivalin e Sanremo-s; një tjetër talent po aq i ri i letërsisë, Elvis Malaj, është kandidat për çmimin “Strega”; 30 mijë sipërmarrës shqiptarë derdhin kontributet e tyre tek autoriteti tatimor italian dhe 20 mijë italianë kanë zgjedhur të jetojnë në bregun tjetër të Adriatikut. Pothuajse deri 30 vjet më parë ata dukeshin si krijesa të një bote tjetër, por tani e kuptojmë se qenë sytë tanë dembelë që nuk arrinin të njihnin të njëjtat fytyra si tonat, me tjetër uri dhe me të tjera dëshira.
Sikurse ka shkruar Albana Shala, drejtuese e UNESCO-s, “ne shqiptarët nuk kemi qenë kurrë më të lirë, më të përgatitur, më të emancipuar sesa sot.”. Pak popuj janë nisur nga kaq larg, pak kanë qenë ata që kanë bërë kaq shumë rrugë: grupi i bashkëkombësve udhëhiqet nga Edi Rama, kryeministër kolosal që kap dy metra lartësi dhe njëzet vjet militantizëm politik. Dikur ishte një artist, kishte fituar një bursë studimi në “Cité internationale des arts” të Parisit, por në fund të viteve Nëntëdhjetë vendosi të kthehet në atdhe dhe në vitin 2000 u bë kryetar i bashkisë së Tiranës. Në ato vite bashkia e kryeqytetit shqiptar nuk kishte para, nuk kishte pushtet, nuk kishte pothuajse kuptim. Por kryetari i ri i bashkisë vendosi ta provojë gjithsesi shansin. Që gjithkush të kuptonte se era kishte ndryshuar, lëshoi një breshëri ngjyrash mbi grinë e qytetit. “Shfrytëzuam një projekt europian për restaurimin urban”, na thotë në italishten e tij të patëmetë, gjuhë në të cilën ka folur gjithnjë me gjyshen e tij me origjinë veneciane. “Kështu kërkova që të fotografohej fasada e Rrugës së Durrësit dhe caktova ngjyra të ndryshme për çdo element arkitektonik”. Jo më kot ishte i sapo dalë nga “Cité des arts”.
“PBB-ja rritet me 4 për qind,
por u them gjithnjë ministrave
të mi: Njerëzit nuk ushqehen
me statistika.”
“Kur nisëm të shtrojmë portokallinë e parë mbi fasadën e parë, nëpunësi francez përgjegjës për projektin bllokoi gjithçka duke thënë se paratë e taksapaguesve europianë nuk mund të shpenzoheshin për kësi lloj marrëzish”. Nëpunësi bërtet, punëtorët lënë furçat, trafiku bllokohet, mbërrin kryetari i bashkisë: “Iu përgjigja se ajo quhej censurë, dhe si ish komunistë ne shqiptarët e njihnim mirë”. Burokrati këmbëngul se ajo portokalli aq e ndezur nuk hyn në standardet eoropianë. Me përgjigjen e tij, kryetari i bashkisë nisi rrugën që kalon nga Këshilli europian i 28 qershorit: “Shikoni përreth jush, a shihni një gjë të vetme që t’i përputhet ndonjë standardi europian?” Dhe kështu shtëpitë u ndriçuan nga ngjyrat, ngjyrat tërhoqën kuriozët, tregtarët bënë xhiro të mira, Bashkia arkëtoi më shumë taksa, kryetari i bashkisë fitoi popullaritet, popullariteti u përkthye në fuqi dhe falë kësaj fuqie u shkatërruan qindra kioska abuzive , u asfaltuan dhjetëra rrugë, dhe madje u ngrohën dhe disa shkolla: “Që nga rënia e komunizmit njerëzit ishin mësuar që t’i kundërpërgjigjeshin ashpërsive të dimrit duke mbipopulluar klasat”. Ai akt transgresioni kromatik gjeneroi një lumë transformimesh i cili rrjedh ende sot: pas viteve të zymta të diktaturës komuniste dhe viteve të marra të anarkisë kapitaliste, sot kryeqyteti shqiptar duket se po gëzon jetën me një endje të thjeshtë, thuajse borgjeze.
Fig. 1 Edi Rama, 53 vjeç, valëvit flamurin shqiptar
gjatë një mitingu në Durrës përpara zgjedhjeve të
qershorit të kaluar ku u rikonfirmua si kryeministër.
Fig. 2 Zbarkimi i anijes Vlora me rreth 20 mijë shqiptarë
në portin e Barit më 8 gusht 1991.
Fig. 3 Perëndim mbi Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Në plan të parë Parku Rinia.
Aventurës si kryetar bashkie i Tiranës, kryeministri aktual në detyrë që prej vitit 2013, i ka dedikuar Kurbanin, një libër i furishëm, i dhunshëm, i ekzagjeruar, i shkruar me pasion për punën dhe zemërim për ata që hyjnë në mes. Medalja e tij është se besoi në këtë qytet kur “askush nuk mendonte se një ditë do të mund të shihte një Tiranë ndryshe”; gogoli i tij është konservatori Sali Berisha, at dhe padron i Shqipërisë përpara se Rama të hynte në fushë. Është një libër i jashtëzakonshëm dhe i padurueshëm, me kulme pothuajse shekspiriane dhe me kokëfortësi përfundimisht fëminore. Edi Rama thotë, dhe thuajse ulërin, se pushteti nuk e ka ndryshuar, edhe pse “është e pamundur të mos gabosh asnjëherë kur përballesh me ndryshimin që gjithnjë shoqërohet nga e paditura”. E takojmë në zyrën e tij si kryeministër, ku dokumentet përzihen me stilolapsat, topat e basketbollit, forma të vrazhda dhe ngjyra të feksura. Në një pasazh goditës të librit, autori personifikohet me antagonistin e tij, dhe Sali Berishën i cili sapo ka shtypur me gjak një protestë në shesh e bën të thotë: “Unë jam ai që ju vret në mes të bulevardit dhe ju them: ejani përsëri po deshët, jam unë populli. Ka shumë nga ata që mendojnë se duke qenë se fasadave i ka dalë boja prej kohësh, Edi Rama i ngjan gjithnjë e më shumë paraardhësit të tij. Mes tyre është dhe shkrimtari Fatos Lubonja, i cili kaloi 17 vjet në burgjet e diktatorit Enver Hoxha: “Ishte si vëlla, por ajo që mendon për mua ka kohë që nuk më lëndon më”, thotë Rama me një fije zëri të tendosur. “Ai mbeti intelektual, ndërsa unë zgjodha të mëkatoj duke u bërë politikan”. Kjo është e gjitha. Tetorin e kaluar parlamenti shqiptar mohoi autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm, ndër më të besuarit e Ramës, që sipas prokurorisë së Catania-s qenkësh përfshirë në një trafik droge mes Italisë dhe Shqipërisë. Në përfundim të seancës kryeministri ofendon gazetarët të cilët i kërkojnë llogari: një shfaqe e shëmtuar. Mendoni edhe ju se jeni populli? “Gaboheni”, përgjigjet i qetë. “Nuk jam ulur në këtë karrige që të më konsumojë pushteti, por që ta konsumoj unë atë në dobi të vendit tim”. Shqipëria është ende një vend i prapambetur, ku 40% e punëtorëve derdhin djersë në fusha, niveli i papunësisë është mbi 13 për qind dhe ku përpara ambasadës gjermane zënë gjithmonë radhë të sapodiplomuarit në pritje për tu nisur.
Djathtas, disa pallate me ngjyra të kryeqytetit shqiptar.
Poshte: Disa fshatare në Zejmen.
Libri i Edi Ramës, “Kurban/ Il Sacrificio”, shtëpia botuese Rubbettino),
që autori do e paraqesë në Panairin e Librit në Torino.
“Edhe këtë vit ekonomia jonë do të rritet me 4 për qind”, thekson ai. “Por ministrave të mi u them gjithmonë: njerëzit nuk ushqehen me statistika, ndaj punoni fort dhe mos u mburrni për asgjë”. Ndoshta këtë mund t’ia thoshte edhe mikut të tij Matteo Renzi, por parapëlqen të rrëshqasë me ironi mbi marrëdhëniet e tij italiane: “Besoj se kam mbetur miku i fundit i zakonshëm i Renzit dhe D’Alemas”. E njeh pushtetin, Edi Rama: shkrimtari paralajmëron që të tregohemi vigjilentë ndaj “kujtdo që nuk di të bëjë tjetër veçse të jetojë falë pushtetit”, politikani e ka përdorur atë për të kapërcyer “një kohë që nuk të fal kohë”. Çështja është se punët duhen bërë një nga një: “Deri në 2014-ën në Shqipëri 52 për qind e energjisë elektrike harxhohej ose vidhej, ndërsa sot kemi zbritur në 24 për qind”. Ose korrupsioni proverbial i administratës publike: “Sapo ka nisur një kontroll i pasurive të të gjithë gjyqtarëve dhe nëpunësve të policisë: ata që nuk do të mund të justifikojnë dot pasuritë e tyre do të pushohen nga puna”. Edi Rama politikan reciton me bindje pjesën e tij, Edi Rama shkrimtar e di që kontkesti është i vështirë dhe se as ai “nuk ka mundur të bëjë plotësisht përjashtim”. Do të donim disa pika të qëndrueshme, por gjejmë disa pikëpyetje. Siguria e vetme është se nëse ai do të kishte qëndruar në Paris, sot Shqipëria do të ishte më larg Europës. Dhe një kryetar bashkie si ai do të ishte diçka e mirë për shumë qytete italiane. “Kur lexoj për gropat në Romë nuk kuptoj ku qëndron problemi: përse nuk i mbulojnë?”.
(“La Repubblica” )