Raporti i ODIHR ka inspiruar LSI dhe mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha për të dalë në protesta. Edhe pse në raport nuk ka asnjë gërmë për zgjedhje të diskutueshme dhe u bëhet qejfi të gjitha palëve, Vasali i LSI, Tritan Shehu i Shqup-it dhe pensionisti Bujar Nishani kanë dalë dje me idenë e tubimeve në shtator.
I pari ishte nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili ka kërkuar të ndiqet shembulli i Kirgistanit për rrëzimin e qeverisë. Sipas tij, qeveria po vepron kundër qytetarëve dhe ata duhet të mblidhen për ta ndëshkuar. “Zgjedhjet e 25 prillit më keq se në Kirgistan, të ardhmen e vendos populli!
Shkatërrimi i zgjedhjeve është fakt i provuar katërçipërisht. Ky shkatërrim ka prodhuar një pushtet kuisling ilegjitim, duke grabitur e rrëmbyer votën në mënyrë mafioze. Zgjedhjet e 25 prillit janë më keq se ato në Kirgistan, të cilat nuk i shpëtoi dot as makijazhi ndërkombëtar, sepse populli vuri në vend drejtësinë zgjedhore të nëpërkëmbur.
Pushteti rilindas i 25 prillit është një pushtet kuisling armik i shqiptarëve dhe interesave të Shqipërisë ndaj do të trajtohet si i tillë. Kirgistani mbetet një mësim i madh”, deklaroi ai. Vasili ka vijuar më një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë, duke e quajtur atë qeveri që është bashkuar me krimin dhe vepron kundër popullit.
Nga ana tjetër edhe deputeti demokrat Tritan Shehu ka bërë thirrje për protestë. Gjatë një interviste televizive ai tha se, Shqipëria po përballet aktualisht me një regjim dhe një regjim mund të mposhtet vetëm me përballje të fortë në terren dhe duke vënë në lëvizje të madhe qytetarët.
“Unë mendoj se analiza duhet të fokusohet me përgatitjen e strukturave për ballafaqimin e shpejtë e të fortë që ne duhet të bëjmë në të gjitha institucionet, sallat, sheshet, për ta përmbysur këtë regjim. Ky regjim përmbyset vetëm me një lëvizje të madhe të popullatës. Nuk është e lehtë, por është një përballje e paevitueshme, e domosdoshme për të përmbysur këtë regjim kërkohet një ortek i madh njerëzor”, tha Shehu. Duhet theksuar se Shehu është ndër të paktët që i ka dalë në krah Sali Berishës këto kohë.
Në një linjë ka qenë edhe ish-presidenti Bujar Nishani. Edhe ai përmes një statusi hedh idenë e protestave. “Mbetet për t’u parë nëse opozita do të mobilizojë masivisht popullin më shtator apo do të shërbejë si një gjethe fiku për masakrën elektorale? A do t’i heqë oksigjenin regjimit “një minutë e më parë” apo do të vijojë si një fasadë e pushteteve dalë prej masakrës mbi opozitën? Përndryshe është kontradiktore dhe bashkëpunëtore në masakër. Koha po ecën”, tha ai dje.